Berisha: Edi Rama largohet vetëm me revolucion

  • A.P /
  • 14 February 2023 - 14:17
Berisha: Edi Rama largohet vetëm me revolucion

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në mbledhjen e kryesisë së PD, se Edi Rama largohet vetëm me revolucion.

“McGonigal, që vazhdon të jetë kryefjalë e medieve botërore, është në burg, kurse porositësi i vrasjes me pagesë të opozitës shqiptare, është në pushtet.

Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Kjo është e vërteta.

Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion. 

Sepse, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka degraduar në shkallën më ekstreme. Në Evropë është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Do të thotë se vendos mafia e drogës. Shqipëria është vendi i qytetarëve, që vidhen në mënyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Kakavijë-Janinë, 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A munden shqiptarët të pranojnë një gjë të tillë? Marrim vetëm këto krahasime. Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku,” tha Berisha, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se opozita është në hapat e parë të mosbindjes civile.

“Ju e shihni, gazeta më e madhe në SHBA, Uashington Post thotë që Edi Rama është i zhytur deri në fyt në afera sekrete me McGonigal. Ju e dëgjuat gazetarin e BILD nga Nju Jorku, deklaroi haptas se dokumentet faktojnë se McGonigal u mor me Sali Berishën.

Ndaj dhe duhet të vazhdojmë me persistencë absolute këtë revolucion. Në mënyrë kreative. Unë e di që çdo ditë do dëgjoni njerëz që ju thonë se pa dhunë, nuk përmbyset, nuk arrihet. Unë u them atyre, dhe ju do u thoni, se qëndresa është forcë. Dhuna nuk të sjell në objektivat që kërkon.

Ne jemi në hapat më fillestarë të mosbindjes civile, të shfrytëzimit të potencialit të jashtëzakonshëm që ka mosbindja civile. Nuk shkojmë te forca. Sepse të shkosh te forca, do të thotë të marrësh pushtetin me forcë. Që në këtë moment, kjo forcë asgjëson veten. Por do përdorim çdo formë të mosbindjes civile,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)