Prokuroria interviston disa persona: Kush i zhduku mostrat e Deharit?

  • A.P /
  • 15 February 2023 - 15:49
Prokuroria interviston disa persona: Kush i zhduku mostrat e Deharit?

Për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore,  Prokuroria Speciale e Kosovës s’e ka ende asnjë të dyshuar,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nga ky institucion thonë vetëm se kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve dhe se kanë ndërmarr veprime konkrete që do t’i ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore.

Para dy muajsh, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, prej ku njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Këto mostra po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Por, se kush i zhduku, s’dihet as sot kur kanë kaluar disa javë. Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se s’ka ende asnjë person të dyshuar për rastin.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfika thënë se kanë intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve.


Sipas tij, Prokuroria ka ndërmarr veprime konkrete që do t’i ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore.

“Duke iu referuar e-mailit tuaj lidhur me pyetjet e juaja, për rastin e zhdukjes së provave në çështjen Dehari, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje. Duke pasur parasysh se ende jemi në fazën e hetimeve nuk mund të japim informata tjera lidhur më këtë çështje”, thuhet në përgjigjet e Lutfiut.


(Kosova Sot Online)