Bajrami i përgjigjet VV’së: Qysh s’ju ka ardh turp

  • A.P /
  • 16 February 2023 - 16:12
Bajrami i përgjigjet VV’së: Qysh s’ju ka ardh turp

Lëvizjes Vetëvendosje për videon ku u shënjestruan ajo dhe ekonomistët e tjerë të kësaj partie, që ligjërojnë në UP, i është përgjigjur deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bajrami tha ata kanë qenë profesorë universitarë para se të merrnin funksione në LDK.

“A e dini që keni ba video, bile me llogo të Fakultetit Ekonomik, qysh s’ju ka ardh turp bre sepse Universiteti i Prishtinës është i shenjtë, i ka ba 53 vjet. E na si profesore aty, na kemi qenë profesore para se me marrë funksione në qeveri e në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Na kemi qenë të vetëdijshëm, të edukum kemi shku në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Na nuk kemi qenë studenta, kur kemi marrë funksione kemi qenë profesore universitarë dhe ju keni ba video se qysh akademikët e LDK’së propozojnë  masa për falje të tatimeve dhe çka bënë kryeekonomisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ministri i Financave thotë po ua falim 100 euro, nuk ia zgjidh problemin me ia fal 100 euro”, tha Bajrami.

Në atë video, VV thotë se propozimet e ekonomistëve të LDK-së po iu shërbejnë grupeve të interesit, duke përmendur këtu propozimin e LDK-së për ta ulur dhe hequr akcizën dhe TVSH-në e naftës, tërheqjen e 30% të Trustit, si dhe uljen e tatimeve dhe rritjen e pagave.


“Në të tria rastet, pra asnjë ide serioze”, thotë VV-ja për LDK-në. Në videon e VV’së dëgjohen edhe fjali të tilla “se sistemin pensional njëherë na e shkatërroi Serbia, së dyti na e deshën të na e shkatërrojnë doktorët e LDK’së”. Derisa kjo fjali shoqërohet me pamjen e kreut të LDK’së Lumir Abdixhikut.

Në këtë pikë VV ka sulmuar edhe deputetin e PDK’së Bekim Haxhiun të cilin e quajnë në mënyrë pezhorative “fizioterapeut”.

Pasatj VV mburret se përballë LDK’së ka dalë fituese në debatet mbi ekonominë.

“I kemi parë në qeverisje, privatizim, stagnim, shtrenjtim, varfërim i mëtejmë i qytetarëve.”

Tutje VV lë të kuptohet se në kohën e tyre është duke lulëzuar ekonomia.

“Me qeverisjen e re ka ndryshuar kursi i ekonomisë, ndonëse kishim pandeminë për dy vite, agresionin ushtarak rus në Ukrainë, inflacionin, krizën ekonomike me energjinë, ne shënuam rritje ekonomike në secilin vit dhe për vitin 2023 sipas Bankës Botërore do ta kemi rritjen më të madhe në rajon” thuhet në videon e VV’së. 

(Kosova Sot Online)