Takimi i McGonigal me kontaktin rus alarmoi inteligjencën britanike

  • E.K /
  • 17 February 2023 - 11:37
Takimi i McGonigal me kontaktin rus alarmoi inteligjencën britanike

Nga Matthathias Schwartz, Business Insider

Në vitin 2018, Charles McGonigal, ish-shefi i spiunazhit të FBI-së në Nju Jork, udhëtoi për në Londër ku u takua me një kontakt rus, i cili ishte nën vëzhgim nga autoritetet britanike, thanë dy burime të inteligjencës amerikane.

Britanikët u alarmuan mjaftueshëm nga takimi për të njoftuar atasheun ligjor të FBI-së, i cili ishte stacionuar në ambasadën e SHBA.

FBI më pas e përdori takimin e fshehtë si pjesë të bazës së tyre për të hapur një hetim ndaj McGonigal, tha një nga dy burimet.

Të dy burimet, të dy ish-zyrtarë në komunitetin e inteligjencës amerikane, nuk specifikuan identitetin e rusit me të cilin u takua McGonigal.

McGonigal, ish-kreu i divizionit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, akuzohet për marrjen e parave nga Oleg Deripaska, një oligark rus, në shkelje të sanksioneve të SHBA-së, në këmbim të hetimit të një prej rivalëve rusë të Deripaskës.

McGonigal ‘udhëtoi për të takuar Deripaskën dhe të tjerët në rezidencën e Deripaskës në Londër dhe në Vjenë’, sipas një prej padive federale të paraqitura muajin e kaluar.

Aktakuza nuk thotë saktësisht se kur u zhvilluan ato takime të supozuara, apo se si prokurorët arritën të besonin se ato kishin ndodhur.

“Burimet tuaja duken të mirinformuara,” tha një burim i tretë, i cili punoi për komunitetin e inteligjencës amerikane në vitin 2018 dhe ishte në dijeni të komunikimeve mes zyrtarëve të inteligjencës britanike dhe ambasadës së SHBA në Londër. Ata nuk pranuan të konfirmojnë ose mohojnë se takimi ka ndodhur.

Gjatë viteve të tij në Nju Jork, McGonigal mbikëqyri 150 agjentë të FBI-së të ngarkuar me monitorimin e operativëve të huaj dhe kthimin e tyre në spiunë për SHBA-në. Ai do ketë pasur njohuri intime për depërtimin e survejimit në kryeqytetet botërore, gjë që e bën takimin në Londër edhe më mistifikues.

“Çfarë dreqin po mendonte?” tha një burim i katërt, i cili tha se ata kishin arsye të besonin se takimi ‘mesa duket kishte ndodhur’, por nuk pranoi ta konfirmonte atë. Vitet e përvojës në drejtimin e kundërzbulimit, tha burimi i katërt, duhet ta kishin mësuar McGonigal për mundësinë që takimi në Londër të tërhiqte vëmendjen.

Insider ka mundur të përcaktojë vitin, por jo muajin e takimit. Burimi i katërt vuri në dukje se pavarësisht nëse takimi ndodhi para ose pasi McGonigal të tërhiqej nga FBI në shtator të vitit 2018, ai sugjeron një marrëdhënie serioze dhe të zgjeruar. “Një takim si ky nuk mund të ndodhë ashtu thjesht një ditë,” thanë ata, duke theksuar se me këdo që takohej McGonigal, ata ishin mjaft të rëndësishëm për të qenë nën mbikëqyrjen e britanikëve dhe meritonin një paralajmërim për ambasadën amerikane. “Ka pasur një kohë të gjatë që të kryhej”.

Zyra kombëtare e shtypit e FBI-së dhe zyra e saj në terren në Nju Jork nuk pranuan të komentojnë.

As Departamenti i Shtetit, as një avokat që përfaqëson McGonigal, as Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, as Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment të dërguara vonë të mërkurën.

Ruben Bunyatyan, një zëdhënës i Deripaskës, nuk pranoi të komentojë mbi ndonjë takim të dyshuar midis Deripaskës dhe McGonigal dhe mohoi pretendimet e bëra nga Departamenti i Thesarit dhe të tjerë se Deripaska është i afërt me Kremlinin dhe se ai është një oligark. “Të insinuosh një lloj lidhjeje ose trajtimi të veçantë, është thjesht e gabuar,” tha Bunyatyan në një email. Deripaska “kishte lidhje të zakonshme”, vazhdoi ai, “ashtu si çdo industrialist tjetër i shkallës së tij në çdo vend të botës”.

Në vitin 2014, FBI u përpoq të rekrutonte Deripaskën si informator. McGonigal kishte hetuar operativët rusë më herët në karrierën e tij, por është e paqartë nëse ai ishte i pëfshirë në përpjekjet e FBI-së për rekrutimin e Deripaskës. Ai ishte i stacionuar në Uashington në atë kohë.

Aktakuzat e McGonigal theksojnë se në vitin 2018, McGonigal kishte akses në një listë të klasifikuar të oligarkëve rusë që ishin në shqyrtim për sanksionet e SHBA për shkak të ‘lidhjeve të ngusha me Kremlinin’.

Departamenti i Thesarit e sanksionoi Deripaskën në prill të vitit 2018. Në vitin 2021, FBI bastisi dy shtëpi të lidhura me Deripaskën në Uashington dhe Nju Jork. Më pas, vitin e kaluar, vetë Deripaska u padit se kishte shkelur sanksionet e vitit 2018, kur ai dyshohet se organizoi që e dashura e tij të udhëtonte në SHBA, në mënyrë që ajo të lindte në një spital amerikan dhe të merrte nënshtetësinë amerikane për fëmijën e saj të porsalindur.

Hetimi i McGonigal u raportua për herë të parë nga Insider në shtator. Raportimet e mëvonshme detajuan rrëfime të hollësishme të dorës së parë të marrëdhënies jashtëmartesore të McGonigal, një çantë me para në apartamentin e tij në Bruklin dhe zarfet-manila që McGonigal merrte nga një ish-diplomat sovjetik.

(Kosova Sot Online)