Perparim Rama: S’do të kishte Pavarësi pa Rugovën e UÇK-në

  • E.K /
  • 17 February 2023 - 15:41
Perparim Rama: S’do të kishte Pavarësi pa Rugovën e UÇK-në

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka përmendur kontributin e ish-presidentit Rugova dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shënimin e kësaj dite, përcjell “Kosova Sot Online”.

Rama ka potencuar se sot është dita më e veçantë e vitit për popullin tonë.

Rama, po ashtu ka përmenduar dhe ka thënë se ish-presidenti Rugova ka punuar shumë për Pavarësinë e Kosovës.

“Sot është dita më e veçantë e vitit për popullin tonë, sepse festojmë përvjetorin e shpalljes së Kosovës, shtet të pavarur. Të gjithë ne në këtë sallë jemi mjaft të vjetër sa më e mbajtë mend sistemin e dikurshëm Jugosllav, kemi pasë kush më shumë e kush më pak, fëmijëri të vështira”.

“Të gjithë ne në ato kohëra i përballnim traumat e robërisë në të cilën u rritëm me shpresat dhe ëndrrat për të ardhmen, megjithatë në historinë tonë të krejt shekullit të fundit, madje qëkur Kosova mbeti e shkëputur nga Shqipëria pas dorëheqjes së osmanëve prej tokave tona, nuk ka pasë një brez tjetër më fatlum se sa që jemi ne sot këtu”.

“Vizioni i Rugovës për Kosovën e pavarur bazohej në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të bashkëjetesës paqësore me vendet fqinje. Për realizimin e këtij qëllimi doktor Rugova u angazhua në misione të shumta diplomatike dhe avookuese në skenën ndërkombëtare. Punoi pa u ndalë asnjëherë për të ndërtuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës në mesin e vendeve perëndimore dhe të organizatave ndërkombëtare. Prandaj sot kur shënojmë 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, është një ditë e qëlluar edhe me kujtua kontributin e jashtëzakonshëm të liderit tonë të kohëve më të vështira doktor Ibrahim Rugovës që me të drejtë brezat e rinj do ta njohin si presidenti historik i Kosovës”.

Rama ka thënë se kontribut të madh ka pasur edhe Ushtria Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën Kosova nuk do të ishtë ku është sot.

“Dhe s’do mend se në një ditë si kjo, kur shënojmë 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë kujtojmë edhe rolin e pashoq të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kësaj ushtrie të trimave e trimëneshave që ishin të gatshëm me rreziku madje edhe jetën për me jetësua ëndrrën tonë shekullore, çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe në vitet e 90-ta”.

“UÇK -ja mori një varg fushatash kundër forcave serbe në Kosovë përfshi këtu edhe luftën guerile por edhe luftën frontale. Mos të ishte UÇK-ja as NATO nuk do të ndërhynte”, ka thënë Rama.

(Kosova Sot Online)