Kosova feston 15 vjetorin e pavarësisë derisa përballet me sfida serioze

  • A.P /
  • 17 February 2023 - 16:26
Kosova feston 15 vjetorin e pavarësisë derisa përballet me sfida serioze

15 vjetori i shpalljes së Pavarësisë, Kosovën po e gjen ende përballë sfidave serioze. Në këtë datë mediat e huaja i japin vëmendje të veçantë vështirësive me të cilat po përballet vendi ynë si pasojë e mosnormalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, fqinjit që ende refuzon ta njohë Kosovën shtet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Mediumi britanik ABC News shkruan se Kosova po feston 15 vjetorin e pavarësisë, ndërkohë që ende po përballet me sfida serioze me Serbinë, e cila refuzon ende të njohë autonominë e ish-krahinës së saj.

Aty potencohet se pavarësia e Kosovës tashmë është njohur dhe pranuar nga 117 shtete, në mesin e tyre edhe fuqitë botërore si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.

“Shtetet e Bashkuara dhe shumica e fuqive perëndimore janë në mesin e 117 vendeve që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe rreth 200 organizata ndërkombëtare e kanë lejuar Kosovën të anëtarësohet, edhe pse jo në Kombet e Bashkuara. Një numër i kombeve evropiane, përfshirë Bosnjën, Qipron, Greqinë, Moldavinë, Rumaninë, Spanjën, Sllovakinë dhe Ukrainën, nuk e njohin Republikën e Kosovës.

Serbia, e cila me shekuj e konsideronte Kosovën djepin e qytetërimit të saj, ende e sheh atë si pjesë të territorit të saj. Rusia dhe Kina kanë mbështetur vazhdimisht qëndrimin e Serbisë, siç kanë bërë Algjeria, Maroku, Bjellorusia, Afrika e Jugut, Irani dhe vende të tjera që nuk duan të tërhiqen në mosmarrëveshje”, thuhet në shkrimin e Abc News.

Aty potencohet se bashkë me problemet e vazhdueshme ekonomike dhe nevojën për të përmbushur kushtet e BE-së për reformat e qeverisjes, Kosova, e cila është një nga vendet më të varfra të Evropës, është ende duke u përballur me trashëgiminë e luftës së fundit  me Serbinë.

“Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe katër heronj të tjerë të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të një tribunali në Hagë, Holandë, për t’u përballur me akuzat për vrasje, torturë dhe persekutim. Të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Gjykata speciale po heton krimet e supozuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të lidhura me veprimet e UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, vijon shkrimi i ABC News.

Edhe Agjencia e Lajmeve Reuters shkruan se  Kosova feston  15 vjetorin e pavarësisë me synimin për arritjen e një marrëveshjee me Serbinë.

Aty përmendet se të dërguarit e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po u bëjnë presion Kosovës e Serbisë  që të arrijnë një plan paqeje të paraqitur në mesin e vitit 2022, sipas të cilit Beogradi do të ndalonte lobimin kundër Kosovës që të ketë një vend në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Në anën tjetër, shkruan Reuters, Kosova do të formonte Bashkësinë e Komunave Serbe, çka Qeveria e Kosovës deri më tani ka refuzuar ta bëjë.

Një shkrim 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, i ka kushtuar edhe gazeta franceze Le Monde duke iu dhënë vëmendje të veçantë zhvillimeve në veri.

Aty thuhet se 40,000 serbët që jetojnë në veri të Kosovës në kufi me Serbinë, në pjesën më të madhe vazhdojnë të shikojnë drejt Beogradit, nga i cili varen financiarisht.

(Kosova Sot Online)