Williams: Në Kosovë por edhe çdo vend tjetër sot ka sfida

  • A.P /
  • 17 February 2023 - 20:05
Williams: Në Kosovë por edhe çdo vend tjetër sot ka sfida

Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington Me çështjen e Kosovës që para 30 vjetësh,  është angazhuar Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai luajti rol për të ndikuar që qeveria dhe udhëheqja amerikane t’i kushtonin vëmendje Kosovës, ishte këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe më pas ndihmoi me ekspertizë për hartimin e kushtetutës së re të Kosovës, si edhe në negociatat për statusin përfundimtar.

Prof. Williams foli për arritjet dhe sfidat në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

"Në Kosovë, por edhe çdo vend tjetër sot ka sfida, shqetësime dhe ankthe. Por që të jem plotësisht i sinqertë, po të shikosh pas, se me çfarë po përballeshin njerëzit në vitet ‘90 në Kosovë, po t’u thoshe në atë kohë se një ditë Kosova do të bëhej shtet i pavarur, askush nuk do të të kishte besuar. Ishte një regjim pranë aparteidit. Ishte shtypje nga regjimi serb.

Gjatë konfliktit kishte paraushtarakë serbë dhe krime qeveritare kundër njerëzimit. Bëhej fjalë vetëm për mbijetesë fillimisht gjatë qeverisjes paralele dhe aparteidit të viteve ’90 dhe më pas gjatë luftës, njerëzit thjesht përpiqeshin të mbanin gjallë veten dhe familjen e tyre.

Dhe pastaj Kosova u fut në rrugën e pavarësisë dhe shumë nuk e besonin realisht se do të bëhej e pavarur.

Ka aq shumë vende të cilave u është mbajtur gjallë shpresa për pavarësinë, por më pas u është mohuar në momentin e fundit. Kosova u bë shtet i pavarur dhe e them këtë sepse në 15 vjetorin ia vlen të ndalemi dhe të kuptojmë se sa përpara ka ecur Kosova. Po, ka sfida dhe ne do të flasim për to. Por duhet të ndalemi një moment dhe të vlerësojmë faktin që miliona kosovarë jetojnë në një vend të pavarur dhe mund të përcaktojnë vetë fatin e tyre politik", ka theksuar ai.

(Kosova Sot Online)