Pensionistët nga Kosova kërkojnë rritje të pensioneve
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, tha se as kjo Qeveri nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës.
“Nuk është vetëm kjo Qeveri, por të gjitha qeveritë, në kampanja zgjedhore premtojnë mjaltë dhe tamël, por në realitet na ofron therra dhe shkurre. Edhe kjo qeveri nuk i ka përmbushur premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës”, tha ai.
Gashi tha se kur flitet për pensionistët, duhet të pyeten vetë ata, por që Ministria e Financave ka refuzuar vazhdimisht që t’i përfshijë në proces.
“Më e keqja është se nuk ka vesh me dëgju dhe nuk e ka sensin e të dëgjuarit. Kur bëhet fjalë për pensionistët duhet të pyeten pensionistët. Ne nuk jemi të verbër, nuk jemi të shurdhër. Ne nuk jemi më pak të ngritur në aspektin profesional dhe intelektual sesa ata që po vendosin për ne, bile po them me kompetencë që ata janë më pa përvojë dhe me pak të informuar për këto çështje sesa që janë pensionistët”, tha ai.
Gashi thekson se Qeveria e ka për detyrë t’i rrisë pensionet në bazë të indeksit të inflacionit.
“Këta kanë vendosë me na pre një këmishë, pavarësisht që s’i kanë matë dimensionet tona sa janë. Dimensionet tona janë të gjithë popullatës së Kosovës që është me një inflacion deri në 60 për qind brenda 2 viteve. Qeveria e ka me ligj që ta bëjë vlerësimin e indeksit të inflacionit çdo fund vit dhe komfor inflacionit t’i rrisë pensionet për çdo vit”, tha ai.
(Kosova Sot Online)