Berisha: Edi Rama përgjegjës kryesor për shpopullimin e Shqipërisë

  • A.P /
  • 20 February 2023 - 14:17
Berisha: Edi Rama përgjegjës kryesor për shpopullimin e Shqipërisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Libero”, ku është fokusuar te situata në Shqipëri dhe zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit.

Në nisje të kësaj interviste, Berisha foli mbi rolin e Italisë në dialogun Kosovë-Serbi, si një çështje me rëndësi për të ardhmen e Ballkanit dhe hoqi paralele mes flukseve emigratore nga rajoni ynë dhe Libia drejt Italisë.

Berisha tha se për kryeministrin Rama më e rëndësishme është ruajtja e marrëdhënieve dhe afrimiteti me Rusinë dhe Turqinë se sa me Evropën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjithashtu Berisha akuzoi shefin e qeverise Edi Rama si përgjegjësin kryesor për shpopullimin e Shqipërisë, ku më shumë se 31% e popullsisë ka emigruar drejt vendeve të BE-së në 8 vitet e fundit.

Mbi gjysmë milionë prej tyre janë të rinj, nën 22 vjeç. Nuk ka patur luftë që ka qenë më shkatërruese se Edi Rama. Shqipëria po humbet të ardhmen e saj.

 Intervista e plotë me Sali Berishën:

“Gatishmërinë e Italisë për të dërguar një korrespondent të veçantë në Ballkan që të ndërmjetësojë marrëdhënien midis Kosovës dhe Serbisë, e mbështeta me dashamirësi. Unë mendoj që Italia ka të drejtë që të interesohet  më nga afër për çështjet e Ballkanit, edhe pse kur krijohen probleme nga kjo anë e Adriatikut, është pikërisht Italia e para ajo e cila paguan pasojat për sa i përket emigrantëve. Njësoj si edhe me Libinë. Por, fatkeqësisht në Tiranë ka një qeveri e cila sheh më shumë drejt Serbisë dhe Turqisë, sesa nga Bashkimi Europian. Kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të forcuar gjithnjë e më shumë lidhjet me Ankaranë. Madje një muaj më parë si deklaroi se, roli i Turqisë në Ballkan nuk është vetëm i rëndësishëm, por është deciziv. Në këtë mënyrë ai e vendosi veten në pozicionin e një vasali.”

Flet me hidhërim të thellë e bindje të plotë nga Tirana, Sali Berisha, 78 vjeç, ish-president i Republikës së Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997, e më pas kryeministër deri në vitin 2013, sot përsëri në krye të Partisë Demokratike, që në Tokën e Shqiponjave, është qendra e djathtë kryesore, kundërshtare me Partinë Socialiste, tashmë prej një dekade në qeverisje, e kryesuar nga kryeministri Edi Rama. Ish-presidenti Berisha, prej kohësh i perfshirë midis përplasjeve të shumta të brendshme të vendit, ashtu si edhe brenda partisë së vet, tregon për Libero në mënyrë shumë të detajuar, implikimet kryesore të një historie që e sheh qartësisht të favorshme në pershpejtimin e hyrjes së Shqiperisë në BE, edhe pse nga viti 2021 ai është konsideruar NON GRATA nga SHBA. Vendim i huazuar vitin e shkuar edhe nga Britania e madhe. Arsyet e këtij vendimi,  mesa duket janë identifikuar në sistemin e korrupsionit, ku sipas dy vendeve perëndimore, është i perfshirë edhe ish-kreu i shtetit.

“Diçka mbi të cilën asnjë nuk ka arritur ende te prodhojë asnjë provë”, përgjigjet ai. “Bazohen mbi akuza të bëra nga gazeta që kanë qëndrime të ndryshme nga të miat. Une kam bërë me dije në më shumë sesa një rast që jam më shumë sesa i disponueshëm të dal përpara gjykatave më të larta ndërkombëtare dhe të tërhiqem në momentin që arrihen të prodhohen prova që në fakt nuk ekzistojnë.

MES FBI DHE RUSISË

Në të vërtetë sipas Berishës, qëndron pas një plan, edhe ky i brendshëm dhe i jashtëm ndaj Shqipërisë, në të cilim  janë të perfshirë: Kryetari socialist Rama, ish- Lideri i Partisë demokratike Lulzim Basha, i rrëzuar nga kongresi ku fitoi me 86% të konsensusit Sali Berisha vitin e shkuar, madje edhe një ish-agjent i FBI, për të cilin po flitet shumë javët e fundit në shtypin shqiptar.

“Basha më ka thënë që ky agjent ka marrë shuma parash nga qytetarë shqiptarë në SHBA”, tregon Berisha. “Por unë besoj që në të vërtetë paratë vijnë nga Rusia.” Edhe për këtë ka hetime në vijim nga prokura shqiptare “dhe një fashikull për Bashën, që Kryeministri Rama ka bërë të mundur që mos të përfundojë në duart e Gjykatës së Lartë për të siguruar fuqinë e pushtetit të tij”, tregon lideri demokratik. Në mes ka patur tentativa, të kryera pikërisht nga ish lideri i PD, Basha, për ta përjashtuar Berishën nga grupet parlamentare (dhe ndoshta nga i njëjti parlament.) Deri në momentin që verën e shkuar, Sali Berisha rimori partinë me shumicë votash. Një përleshje e cila nuk përjashton goditjet e që nuk ka ndër mend të përfundojë. Duhet vënë në dukje që e gjithë kjo, pavarësisht impenjimit të vendeve fqinje si Italia, nuk e lehtëson procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

MIQËSIA

Berisha na konfirmon, duke dhënë të gjithë vlerësimin e mundshëm adresuar kryeministres italiane Giorgia Meloni, koalicionit të saj dhe veprimtarisë së saj në qeveri. “E cilësova fitoren e qendrës së djathtë në Itali si një ngjarje të madhe për kombin tuaj dhe për Europën. Në fund të fundit, edhe nëse partia ime ndodhet në situatën që sapo ju thashë, ne jemi të vendosur fort në Partinë Popullore Europiane. Qendrën e djathtë ne e konsiderojmë si një aleat shumë të ngushtë dhe marrëdhëniet me Forza Italia dhe Fratelli d’Italia dhe Lega, kanë qenë gjithmonë miqësore. Ajo çfarë duhet të bëjmë tani në Shqipëri është që t’i risjellim popullit votën e lirë. Mposhtjen e krimit të organizuar i cili gjendet mbi trafikun e drogës. Vitet e fundit, mendohet se importi i lëndëve narkotike nga Kolumbia është rritur mbi 60 herë më shumë. Porti i Durrësit u bë një port i lirë për kokainën në të cilin është përfshirë i gjithë sistemi shqiptar. Prandaj, ajo që sot nevojitet më shumë se çdo gjë tjetër është forcimi i shtetit ligjor. Mposhtja e korrupsionit është një rëndësi jetike për të ardhmen europiane të vendit tim. Nëse vazhdojmë kështu, Shqipëria do të shkatërrohet çdo muaj e më shumë.  Më shumë se 31% e popullsisë ka emigruar drejt vendeve të Bashkimit Europian në vitet e fundit. Mes këtyre,  më shumë se gjysmë milionë emigrantë janë të rinj nën 22 vjeç. Nuk ka patur luftë që ka shkatërruar më shumë se Edi Rama. Kështu, Shqipëria po humbet të ardhmen e saj. Ajo që po ndodh është një spastrim i heshtur etnik i vendit tim”, përfundon lideri i historik, i cili nuk ka ndërmend të heqë dorë nga lufta, ku sipas tij, “tanimë po bëhet çështje që ka në qendrën e saj sovranitetin e vetë popullit shqiptar.”

(Kosova Sot Online)