Kryeministri Kurti numëron sukseset e tij: Kemi rritje të buxhetit për paga

  • E.K /
  • 21 February 2023 - 10:05
Kryeministri Kurti numëron sukseset e tij: Kemi rritje të buxhetit për paga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, për herë të parë në Kosovë është bërë unifikimi i pagës në sistemin public, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kurti ka thënë se ka ka rritje të buxhetit për paga prej 105 milionë euro.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në sektorin publik, në Republikën e Kosovës për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sistemin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë çfarë ishte në të kaluarën. Dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët nga 20 sa ishte dikur tani është zbritur në vetëm 4,70 herë. Kemi rritje të buxhetit për paga prej 105 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se raportet vendore dhe të huaja kanë treguar në të kaluarën se ka politizim në proces të ndryshme, mungesë të profesionalizmit, të llogaridhënies dhe të matjes së performancës.

“Në vitet e shkuara raportet vendore dhe ndërkombëtare i kanë gjetur këto katër konstatime të cilat ne duhet t’i adresojmë me urgjencë. Me këto dukuri dhe mungesa që kanë përcjellë administratën tonë ndër vite besimi i qytetarëve karshi institucioneve publike është zbehur. Kjo mandej në efektin zinxhir ka shkaktuar jo efikasitet. Kjo ka qenë shtysë qe qeveria të tregojë vullnetin e plotë politik për të adresuar sfidat për reformimin e administratës publike në Kosovë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)