Zyrtarja e Ramës mbetet në burg, avokati kërkoi të verifikohen dëshmitë e pastrueses dhe të birit

  • E.K /
  • 21 February 2023 - 11:40
Zyrtarja e Ramës mbetet në burg, avokati kërkoi të verifikohen dëshmitë e pastrueses dhe të birit

Ashtu siç edhe pritej, duke u nisur nga intensiteti i ngjarjeve që pasuan atë kallëzim për humbjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e zyrtares së shtetit, Apeli ka vendosur ta lërë në burg Alda Klosin.

Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën e Alda Klosit, ishdrejtoreshë e Koncesioneve dhe ish drejtoreshë e Kabinetit të ish-ministrit Arben Ahmetaj për të lënë ambientet e paraburgimit.

Ish-zyrtarja që kallëzoi pastruesen se i kishte vjedhur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë, do të vijojë të hetohet nën arrest me burg për akuzat e pastrimit të parave, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë para Policisë, por avokati i saj bën me faj policinë se nuk ishte profesionale sa duhet për ta pyetur se të kujt ishin paratë që u vodhën, të cilat pretendohet se i përkisnin xhaxhait të saj të ndjerë.

Vendimi

“Gjykata e Apelit vlerësoi të rregullt edhe kërkesën duke lënë në fuqi arrestin me burg. Qëndrimi i saj është bërë publik, ka pranuar faktin se banesa është vjedhur, nga të cilat 120 mijë janë një hua që vëllai i saj ka marrë për nevoja të kurimit të xhaxhait të saj të ndjerë në Amerikë. Gjithçka në të ardhmen do të kompensohej me një truall në zonë pranë ‘21 Dhjetorit’. Prokuroria para disa ditësh ka bërë një sekuestro të një apartamenti të regjistruar në emër të ish-bashkëshortit të saj. Prokuroria duhet të provojë deklaratën. Duhet të provohet vërtetësia e deklarimit të dhënë nga Rozeta Dobi.

Alda Klosi kaloi një periudhë jo të mirë shëndetësore pas ndalimit. U shtrua dhe u kurua në spital në QSUT. Doli nga spitali në gjendje disi të përmirësuar, por sipas kartelës klinike të lëshuar nga mjekët, duhet të jetë në vëzhgimin e mjekëve, pasi ka tendenca për një hipertoni që mund të sjellë pasoja për shëndetin e saj”, tha avokati. Megjithatë, pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri këmbëngulin se i morën paratë për t’i ruajtur, e veç tyre edhe 400 mijë euro të fshehura në aspirator. Kjo shumë e ka bindur Prokurorinë se duhet të hetojë nëse ish zyrtarja e lartë Klosi po pastronte apo jo para të fituara nga korrupsioni.

Avokati kërkoi lirinë me arsyetimin se klientja e tij Alda Klosi është nën e dy fëmijëve për të cilët po kujdeset nëna e moshuar, nuk ka rrezikshmëri shoqërore. Klosi tha avokati gjatë masës me dyer të mbyllura, ka qenë funksionare dhe asnjëherë nuk është hetuar për ndonjë krim dhe kjo është rrethanë lehtësuese sipas mbrojtjes. Në dosje përmendet dëshmia e pastrueses Dobi që sipas Gjykatës përshkruan me detaje pasuritë e shefes. pastruesja thotë se Alda Klosi e paguante 20 euro në ditë për mirëmbajtjen banesës dhe se punonte pesë ditë në muaj tek ajo. Të gjitha bizhuteritë që keni gjetur në shtëpinë time janë të Alda Klosit thotë pastruesja më tej dhe nuk e di ku i ka blerë, ashtu si edhe çanta “Valentino” që e mora te shtëpia e ish-burrit për t’ia dhënë.

Reagimi i avokatit

Avokati i Alda Klosit, Ilirjan Muho, ka folur për mediat pasi u dha vendimi. Ai u shpreh në dëshminë e saj, Klosi ka pranuar shifrën 120 mijë euro të marra hua nga vëllai për kurimin e xhaxhait ndaj thekson se nuk ka pse ta deklarojë. Ndër të tjera ka theksuar se 30 mijë euro ia kishte lënë xhaxhai dhe nusja e tij për arredimin e shtëpisë. “U konfirmua vendimi i mëparshëm. Qëndrimi i Alda Klosit është bërë publik.

Ka pranuar faktin që 120 mijë euro i kishte hua vëllai nga një person tjetër për nevoja të kurimit të xhaxhait të ndjerë në Amerikë dhe 30 mijë dollarë ishin lënë nga xhaxhai dhe nusja për arredimin e shtëpisë. Gjithçka në të ardhmen do të kompensohej me një truall janë në bashkëpronësi, xhaxhait dhe familjes së Klosit pranë ‘21 Dhjetorit’, tha Muho. Muho thotë se duhet të vijojnë hetimet ndaj Klosi duhet të qëndrojë pas hekurave. Po ashtu, për pronat shprehet se akuzohet për një apartament që e ka blerë ish bashkëshorti i saj 3 vite pas ndarjes.

“Prokuroria para disa ditësh ka bërë sekuestro të një apartamenti të regjistruar në emër të ish-bashkëshortit të saj që e ka marrë në vitin 2021, pra më shumë se 2 vite e disa pasi ishin ndarë dhe nuk e dimë si mund të akuzohet për pasuritë e tij kur kanë më shumë se 3 vite të ndarë. Në vitin 2018, janë divorcuar dhe Alda Klosit i janë lënë në kujdestari 2 fëmijët e mitur dhe marrëdhëniet me bashkëshortin kanë vijuar të jenë korrekte për hir të fëmijëve. Ajo çfarë thotë Prokuroria është një gjë që ka nevojë të verifikohet. Kjo nuk do të thotë që Klosi duhet të qëndrojë në burg deri atëherë”.

(Kosova Sot Online)