Mbyllet segmenti rrugor në autostradën ‘Ibrahim Rugova’

  • A.P /
  • 21 February 2023 - 22:00
Mbyllet segmenti rrugor në autostradën ‘Ibrahim Rugova’

Për shkak të rrëshqitjes së dheut, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se është mbyllur përkohësisht autostrada “Ibrahim Rugova”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Sot ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në kilometrin e 26-të në mes të Suharekës dhe Prizrenit, rrjedhimisht për shkaqe sigurie dhe rrezikshmërisë së lartë në këtë segment jemi detyruar që ta mbyllim përkohësisht qarkullimin rrugor në segmentin nga Suhareka deri në Prizren, ndërsa rruga nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është e lirë për qarkullim”, ka shkruar ai në Facebook.

Durmishi u shpreh se po punohet vazhdimisht për zhbllokimin e këtij segmenti rrugor.

“Bashkë me ekipet e mirëmbajtjes jemi në teren dhe jemi duke punuar vazhdimisht deri në zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, duke marrë kështu të gjitha masat e duhura në mënyrë që nesër ky segment të jetë i lirë për qarkullim. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25”, ka shkruar tutje Durmishi.


(Kosova Sot Online)