Shehu: Rama zgjoi Protokollin e Korfuzit, lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë

  • E.K /
  • 22 February 2023 - 11:21
Shehu: Rama zgjoi Protokollin e Korfuzit, lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë

Ish-kreu i diplomacisë shqiptare Tritan Sheu, tashmë deputet i Partisë Demokratike rikthen në vëmendje çështjen e marrëdhënieve, Greqinë.

Përmes rrjeteve sociale, Shehu thotë se Qeveria “Rama” po lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë, që siç thotë ai, është i pari dokument bilateral, ku pala greke ka pranuar qartë kufijtë ekzistues midis dy vendeve, sipas Aktit Final të Helsinkit dhe Kartës së Parisit, duke hequr dorë kështu nga Protokolli i Korfuzit e rivendikimet territoriale të tij.

“Qëllimshëm, Qeveria shqiptare lë në harresë Traktatin e Miqësisë me Greqinë.

Ndërsa ky traktat, i firmosur më 1966-ën dhe i hyrë në fuqi më 1998-ën, skadon brenda këtij viti, ministria jonë e Jashtme vazhdon “gjumin” dhe nuk jep asnjë alternativë për më tej!

Në fakt edhe Qeveritë e mëparshme socialiste e kanë lënë në “harresë” për “xhelozi” a diçka tjetër këtë Traktat shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona e stabilitetin e Rajonit.

Një Traktat bazë ai, shumë i gjerë në mundësitë që krijon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme midis dy vendeve dhe krijimin e hapësirave të reja në këtë drejtim.

Në fakt është i pari dokument bilateral, ku pala greke ka pranuar qartë kufijtë ekzistues midis dy vendeve, sipas Aktit Final të Helsinkit dhe Kartës së Parisit, duke hequr dorë kështu nga Protokolli i Korfuzit e rivendikimet territoriale të tij.

Çuditërisht më tej ai protokoll i Korfuzit, i nulifikuar që nga Protokolli i Firences, u nxorr nga “harresa” si fantazëm prej Qeverisë “Rama” pak vite më parë, për qëllime të mbrapshta, së paku për demagogji.

Traktati i Miqësisë, ky dokument madhor, që duhet përdorur edhe si themel politik i zgjidhjes së çështjes së Marrëveshjes së hapësirave detare, kërkohet të shfuqizohet në harresë.

Ndërkaq në fshehtësi po “punohet” për çuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare të zgjidhjes së çështjes detare, e krijuar artificialisht mbas rrëzimit prej Gjykatës Kushtetuese të asaj Marrëveshje të parë, racionale e të ekuilibruar ajo.

Ndërsa nuk po bëhet asnjë përpjekje për “rigjallërimin” e atij Traktati Miqësie, vlerave të tij, shumë të dobishme ato për sot e nesër…. Kjo Qeveri zgjoi Protokollin e Korfuzit…

Të shohim çfarë tjetër “risie” nga errësira do të na sjellë kjo nesër”, shprehet në qëndrimin  e tij deputeti dmeokrat Tritan Shehu.

(Kosova sot Online)