Lubonja e akuzon Ramën për shkatërrimin e besimit të shqiptarëve: Duhet 'restart' i fuqishëm!

  • E.K /
  • 22 February 2023 - 13:57
Lubonja e akuzon Ramën për shkatërrimin e besimit të shqiptarëve: Duhet 'restart' i fuqishëm!

Analisti Fatos Lubonja ka mbështetur sot protestën e pedagogëve që po zhvillohet përpara Universitetit Politeknik në Tiranë, duke mbajtur një fjalim që tërhoqi vëmendjen.

Lubonja akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverisjen e tij për shkatërrimin e besimit tek qytetarët, të ilustruar me një fakt domethënës që doli në dritë nga një sondazh europian dhe bëri thirrje për një rifillim të fuqishëm, një “restart” që duhet të fillojë nga njeriu, nga investimi për të ndërtuar një njeri  që nuk mendon vetëm për veten dhe që nuk e sheh tjetrin siç e sheh Kryeministri vetëm si mjet", siç tha ai. 

“Të them të drejtën e kam të vështirë sepse për një kohë kaq të gjatë jeni përpjekur për ta ndryshuar për mirë këtë Shqipëri dhe kam përshtypjen se kemi arritur në fund fare, - tha ai. -  Do ta filloja me një të dhënë që sapo e kam lexuar para nja dy tre ditësh se besoj se ka të bëjë shumë me temën që ka na mbledhur në këtë vend.

Është një qendër studimesh për vlerat evropiane, që ka bërë një studim nga viti 2017 deri në vitin 2022 që mbi një temë, mbi një pyetje që i është drejtuar gjithë vendeve europiane, popujve. Pyetje shume thjeshtë por shumë e rëndësishme: sa duhet të besojmë te tjerët? Si mendoni ju, duhet të besojmë tek të tjerët apo s’duhet të besojmë?!

Dhe përgjigja ishte vërtet tronditëse për rastin shqiptar, sepse në krye të listës ishte Danimarka me 77% të listës që thoshin se duhet të besojmë tek të tjerët, pastaj Norvegjia dhe këto vendet nordike dhe e fundit fare ishte Shqipëria me sa thoni ju?! Me vetëm 2.8% që besonin tek të tjerët!

Është ky treguesi më i tmerrshëm i asaj se ku jemi katandisur. E si të mos katandisesh kështu kur ke një Kryeministër, i cili kur i thonë që nuk kemi punëtorë, siç i tha një biznesmen në Shkodër,  i është përgjigjur: "Unë të këshilloj të marrësh bangladeshas!  Edhe të jap edhe një këshillë tjetër, që sapo të fillojnë të mësojnë shqip, se kanë një të mirë ata që nuk dinë shqip, që sapo të fillojnë të mësojnë shqip e të belbëzojnë këto fjalët “liri” “demokraci”, hiqi, merr të tjerë"!!!

Tani, kjo është gjendja. Kjo ka të bëjë me shkatërrimin e shkatërrimeve që i ka ndodhur këtij vendi, se nuk është vetëm ky shkatërrimi urban që shikon prej këtu, që është një gjë e tmerrshme, se ka qenë një nga vendet më të bukura në kuptimin dhe urbanistik,e  është rrethuar me kulla absurde të pastrimit të parave të pista. Këtu tek korpusi universitar vazhdojnë të ngrihen kulla absurde që i marrin hapësirën publike njerëzve. Pra nuk është ky shkatërrimi kryesor megjithatë.

Shkatërrimi kryesor është pikërisht i atij njeriut, i atij njeriut që nuk beson te njeriu shqiptar dhe besoj se nuk ka pikë se nga duhet filluar, në qoftë se kemi shpresë për të filluar dhe njëherë për ta rindërtuar këtë shoqëri, për të bërë një “restart” sepse unë nuk e di çfarë mund të ndodhë pa u bërë një “restart” i fuqishëm, “restart”-i më i fuqishëm duhet të fillojë nga njeriu, nga investimi për njeriun, nga investimi për të ndërtuar një njeri  që nuk mendon vetëm për veten dhe që nuk e sheh tjetrin siç e sheh Kryeministri vetëm si mjet, por e sheh tjetrin dhe si qëllim, se çdokush ka qëllime në jetë, jo vetëm të jetë një mjet që përdoret dhe pastaj... mundësish pa shkollë dhe pa gojë.”

(Kosova Sot Online)