Ja si Edi Rama ka shfajësuar 10 anëtarë të bandës

  • A.P /
  • 22 February 2023 - 16:18
Ja si Edi Rama ka shfajësuar 10 anëtarë të bandës

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo ka denoncuar vendimin e sotëm të drejtësisë së re për të shfajësuar grupin kriminal ‘Hakëmarrja për Drejtësi’ nga veprat penale që ata kanë kryer ndër vite në Shqipëri.

Në deklaratën e bërë nga selia blu, Garo ka theksuar se me këtë vendim, Edi Rama ka shfajësuar 10 anëtarë të bandës më të rrezikshme terroriste në historinë e vendit "Hakmarrja për Drejtësi", e cila ka mbi shpinë 17 akuza të rënda, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA FLORIANA GARO

Hakmarrja për Drejtësi, grupi që ka në repertorin e tij nga aktet terroriste te krimet kundër individëve dhe atentatet me agjende politike, është shfajësuar nga Gjykata e Lartë.

Ky është një zhvillim ogurkeq, që hedh dritë mbi reformën në drejtësi dhe integritetin e saj, por më shumë dhe më dhimbshëm se kaq, mbi sigurinë publike, rendin kushtetues dhe garancinë e jetës dhe biznesit.

Pa harruar më të rëndësishmen: inkriminimin e politikës, shuarjen e asaj vije të hollë që ndan krimin nga politika, mungesa e së cilës ka prodhuar ato vende që njihen si ‘republika bananesh’ apo oligarki politike alla-Putin.

Hakmarrja për Drejtësi ka qenë kundërshtar i rreptë i shtetit sa herë në Shqipëri ka pasur një të tille, dhe mik i pushtetit sa herë ky ka kapur shtetin, siç ndodh në erën që mban erë të Edi Ramës.

Për publikun, një apel: mos u gënjeni se krimi i organizuar, meqë ka veshur kostum të shtrenjtë, nuk kthehet te rrugët e vjetra të terrorit!

Siç thotë populli: ujku ndërron qimen, por nuk e harron zakonin!

Edi Rama ka shfajësuar 10 anëtarë të bandës më të rrezikshme terroriste në historinë e vendit "Hakmarrja për Drejtësi", e cila ka mbi shpinë 17 akuza të renda.

Kjo organizatë kriminale, më e madhja në vend në vitet 1992-1996, është përgjegjësi për një sërë veprash kriminale për të cilat u dhanë edhe dënime të përjetshme.

Ndër to numërohen vrasje, grabitje me armë me pasojë vdekjen e njerëzve të pafajshëm, plagosjen, grabitjen e fëmijëve, pengmarrje, gjobëvënie, vendosje eksplozivi, vrasje të efektivit të policisë, etj.

Ne duhet të alarmohemi nga ky shfajësim i terrorit, të jemi në këmbë, në parlament dhe në sheshe, demokratë, socialistë e të paparti.

Nesër para parlamentit dhe me 3 mars para kryeministrisë, t’i tregojmë shtetit të kapur se pushteti dhe Shqipëria janë të shqiptarëve.

Edi Rama dhe Rilindja nuk mund të shfajësojnë terrorin dhe të terrorizojnë qytetaret, pa u hyre gjemb në këmbë.

Shfajësimi i Hakmarrjes për Drejtësi duhet të shndërrohet në Drejtësi që merr hak për të gjithë ata që, si Pushteti, si Drejtësia e re, i hedh në gojë të ujqërve të krimit.


(Kosova Sot Online)