Kurti takoi ambasadorin e Pakistanit, zbulohet arsyeja

  • A.P /
  • 22 February 2023 - 19:20
Kurti takoi ambasadorin e Pakistanit, zbulohet arsyeja

Ambasadorin e ri jo rezident të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid, e priti në takim kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,të cilin e uroi për detyrën e re, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se, duke e vlerësuar Pakistanin si shtet partner dhe popull mik, Kryeministri Kurti e falënderoi për mbështetjen ndaj vendit tonë, sidomos për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe përkrahjen e vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.

“U bisedua për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë për zgjerimin e tyre, veçanërisht në bashkëpunim ekonomik dhe shkëmbime tregtare, si dhe në fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Kryeministri Kurti theksoi indikatorët pozitivë ekonomikë në vendin tonë dhe potencialin për investime, duke veçuar pozitën e favorshme gjeografike dhe popullsinë e re të talentuar”, thuhet në njoftim.

Ambasadori Junaid shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin ndërmjet Pakistanit dhe Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikim të mëtejmë. Duke vlerësuar progresin mbresëlënës në vendin tonë, ai theksoi vullnetin e Pakistanit për të mbështetur zhvillimin në Republikën e Kosovës.


(Kosova Sot Online)