Berisha: Korruptimi i Mcgonigal nga Rama shkon për llogari të Putinit, Vuçiçit dhe Lukashenkos

  • A.P /
  • 23 February 2023 - 14:18
Berisha: Korruptimi i Mcgonigal nga Rama shkon për llogari të Putinit, Vuçiçit dhe Lukashenkos

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, foli edhe për skandalin Rama-McGonigal në fjalimin e tij para protestuesve.

“Rasti McGonigal nxori fytyrën e vërtetë antiamerikane, antiperëndimore, fytyrën e vërtetë të etërve të Edi Ramës.

A mundet një shqiptar, që i thotë vetes i tillë, t’i rekrutojë SHBA-së me korrupsion, kryezbuluesin e saj.

Kjo shkon për llogari të Putinit, Vuçiçit dhe Lukashenkos dhe kurrë për interes të shqiptarëve, të NATO-s dhe SHBA, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

A ka akt më madhor më antiamerikan, se akti i Edi Ramës pas ndërprerjes së marrëdhënieve me SHBA nga Enver Hoxha? Jo dhe jo. Ky është akti më armiqësor.

Ata vasalë mbrojnë Edi Ramën dhe nuk lejojnë komisionin hetimor për aferën Rama-McGonigal.

Koha e provoi se antiamerikani më i madh pas Enver Hoxhës është Edvin Kristaq Xhelati, Edvin Kristaq Hajduti, krim-kryeministri i Shqipërisë dhe Europës.

Kjo është një betejë epike që zhvillojmë ne. Ne do mbrojmë interesat e shqiptarëve, të miqve dhe partnerëve tanë. Ne do denoncojmë me forcën më të madhe qëndrimet antishqiptare dhe antiperëndimore të krim-kryeministrit të Shqipërisë.

Midis korruptimit dhe rekrutimit të kryezbuluesit të SHBA, shndërrimit të tij një mjeran në duart e mafiozëve Rama-Duçka-Neza, kërkesa e Edi Ramës për të mos kërkuar nga Vuçiç respektimin e sanksioneve të BE ndaj Rusisë, që Serbia të pranohet si prapavijë e Rusisë, deklaratave të tij ndaj perëndimorëve se zëvendësuat mallin e pistë rus nga mall të pistë nga vendet e tjera, a nuk shihni këtu një interes të kristaltë të Putinit, Vuçiçit, Lukashenkos?

Këtë betejë e bëjmë për veten tonë, për miqtë tanë, për njerëzit e lirë sepse sot po zhvillohet në Ukrainë një betejë mes popullit heroik dhe barbarisë ruse.

Por Ukraina do fitojë, ajo ka mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe vendeve aleate të NATO-s.

Putin, Vuçic, Edi Rama, do përfundojnë së bashku në koshin e plehrave të historisë,” tha Berisha.


(Kosova Sot Online)