Szunyog: Urime Kosovës që ratifikoi ndër të parat tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit

  • A.P /
  • 23 February 2023 - 16:33
Szunyog: Urime Kosovës që ratifikoi ndër të parat tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit

Kosovën për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë derivat i Procesit të Berlinit, e ka përgëzuar shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Szunyog thotë se ratifikimi i sotëm është një hap i rëndësishëm për Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Urime Kosovës që ratifikoi ndër të parat tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit me një mbështetje të madhe në Kuvend. Ratifikimi i sotëm është një hap i rëndësishëm për Procesin e Berlinit, Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Është një shenjë e qartë e përkushtimit të Kosovës për të ecur përpara në rrugën e saj të integrimit evropian”.

“Këto tre marrëveshje ndërkombëtare do të mundësojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti dhe njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe kualifikimeve profesionale brenda Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Kujtojmë se sot Kuvendi i Kosovës miratoi ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, atë për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.


(Kosova Sot Online)