Daçiq: Përfaqësuesit e BE-së duhet t’i tregojnë Vuçiqit se çfarë kanë rënë dakord

  • A.P /
  • 24 February 2023 - 16:37
Daçiq: Përfaqësuesit e BE-së duhet t’i tregojnë Vuçiqit se çfarë kanë rënë dakord

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq do t’i përmbahet asaj që ka thënë më parë publikisht për dialogun me Kosovën në takimin e ardhshëm në Bruksel, të hënën, më 27 shkurt, me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kështu është përgjigjur Daçiq në pyetjen se a pret që të dyja palët në Bruksel ta pranojnë propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ai tha se nuk ishte pjesëmarrës në atë bisedë në Bruksel dhe se nuk mund të fliste për këtë, por “e di me siguri se presidenti do t’i përmbahet asaj që është thënë më herët në publik”.

Daçiq beson se përfaqësuesit e BE-së fillimisht duhet t’i tregojnë Vuçiqit se çfarë kanë rënë dakord me palën prishtinase dhe këtë para se të diskutohet propozimi franko-gjerman.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka thënë më herët se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel më 27 shkurt dhe se shpreson se do ta pranojnë propozimin që u është ofruar.

“I ftova të vijnë dhe të zhvillojnë bisedime gjithëditore sepse kemi një propozim në tryezë dhe shpresoj se do të mund ta pranojnë atë propozim si një mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet e tyre”, tha Borrell.


(Kosova Sot Online)