Bislimi: Kemi pranuar planin e BE-së, por normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke

  • E.K /
  • 28 February 2023 - 10:12
Bislimi: Kemi pranuar planin e BE-së, por normalizimi i plotë kërkon njohje reciproke

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur për takimin e djeshëm Kurti-Vuçiq dhe procesin e dialogut, përcjell “Kosova Sot Online”.

Bislimi tha se normalizimi i plotë i marrëdhënieve Kosovë- Serbi kërkon njohje reciproke si pikë qendrore e marrëveshjes.

“Kemi treguar zotim, gatishmëri dhe konstruktivitet gjithashtu në procesin e dialogut ku sapo jemi pajtuar me propozimin e BE-së dhe negociatat për zbatimin e tij do të pasojnë së shpejti. Ne besojmë që normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon njohje reciproke si pikë qendrore e marrëveshjes dhe respektim të së drejtave të minoriteteve në të dyja vendet”, tha Bislimi.

Ai tha se Kosova është e gatshme që të bëjë hapa shtesë për të intensifikuar përpjekjet e saj për t’u afruar me Brukselin, derisa shtoi se Kosova është një shembull në Ballkanin Perëndimor.

“Ne e kemi dëshmuar që vendi ynë qëndron për bashkëpunim të suksesshëm rajonal dhe për përparim të zbatimit për tregun e përbashkët dhe mezi presim që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të aprovojnë ato”.

(Kosova Sot Online)