Zyrtari serb: Asgjë nuk është nënshkruar në Bruksel, por as nuk është refuzuar

  • E.K /
  • 28 February 2023 - 13:00
Zyrtari serb: Asgjë nuk është nënshkruar në Bruksel, por as nuk është refuzuar

Sekretari në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, Nemanja Staroviq, ka thënë sot se takimet e djeshme në Bruksel kanë qenë shumë të vështira dhe kërkuese, por që kur të vihet vija, shihet se asgjë nuk është nënshkruar, por as nuk është refuzuar.

Ai tha në Tanjug, se delegacioni shtetëror i Serbisë, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ka arritur të imponojë zbatimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013 si temë e parë dhe më të rëndësishme, para së gjithash në pjesën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, zbatimi duhet të jetë pjesë përbërëse e çdo marrëveshjeje të re, hapi zero i së cilës është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Ai shtoi se ndryshe nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e meta kryesore e së cilës ishte se nuk kishte metoda të përcaktuara qartë dhe të zbatueshme të zbatimit, tani po merret një rrugë tjetër.

(Kosova sot Online)