Franca: Mirëpresim faktin që u pranua propozimi evropian, Serbia dhe Kosova të angazhohen pa rezerva

  • E.K /
  • 28 February 2023 - 15:42
 Franca: Mirëpresim faktin që u pranua propozimi evropian, Serbia dhe Kosova të angazhohen pa rezerva

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka thënë se Franca e mirëpret vendimin e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar propozimin e bashkimit evropian për “Marrëveshjen Themelore” për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përcjell “Kosova Sot Online”.

Po ashtu, ata kanë bërë thirrje që të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Brukseli duhet të zbatohen pa vonesa.

“Franca e mirëpret këtë vendim të guximshëm të dy vendeve. Tani pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen pa rezerva dhe me të njëjtën frymë kompromisi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Franca gjithashtu rikujton se të gjitha marrëveshjet tashmë të lidhura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të zbatohen pa vonesë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe”, kosntaton MPJ e Francës.

“Franca mbetet plotësisht e mobilizuar, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian, për të arritur përparim të shpejtë me synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, përfundon reagimi.

(Kosova Sot Online)