Bislimi në PE për Asociacionin: OJQ që mundëson koordinim të komunave

  • A.P /
  • 28 February 2023 - 17:03
Bislimi në PE për Asociacionin: OJQ që mundëson koordinim të komunave

Në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u ballafaqua me pyetjet e tyre për rezultatin konkret të takimit trilateral që zgjati me orë të tëra, në një diskutim me eurodeputetë në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në pyetjen për pikën e nxehtë të Asociacionit, Bislimi u mundua të shpjegojë se ai është “një institucion joqeveritar” që nuk do të krijojë ndonjë autonomi për komuna të caktuara.

“Pika e dhjetë që bën thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe ky është paragrafi ku Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të binte. Sidoqoftë, kjo marrëveshje ose ky paragraf, duhet të detajizohet. Duhet të bëhet një inventar i të gjitha marrëveshjeve të kaluara që janë parakaluar nga propozimi europian”.

Bislimi përmendi edhe letrën e ish-krydiplomates së BE-së, Frederica Mogherini, që i kishte dërguar ish-kryeministrit të atëhershëm, Isa Mustafa, se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Ndërkaq, duke iu përgjigjur eurodeputetit slloven Milan Zver për këtë temë, Bislimi dha një pasqyrë se si mund të duket Asociacioni në perspektivën e palës kosovare.

“Marrëveshjet e kaluara, që janë të ndërlidhura me Brukselin, e injoroj këtu planin e Ahtisaarit që ishte baza për deklarimin e pavarësisë, nuk bëjnë thirrje për ndonjë autonomi në veri. Marrëveshjet e kaluara vetëm e listojnë një mekanizëm që mundëson një koordinim midis komunave me shumicë serbe në një format të Asociacionit, i cili do të jetë një institucion joqeveritar që koordinon këtë mekanizëm. Por, kurrë nuk është parë si autonomi territoriale për ndonjë pjesë, në veri apo në jug. Dëshira jonë dhe vullneti është që të përkrahim në maksimum mbrojtjen e minoriteteve, të udhëhequra nga vullneti i politikëbërësve kosovarë për t’i angazhuar në një decentralizim asimetrik për nivelin qendror, duke caktuar disa të drejta shtesë për vetëqeverisje për disa nga komunat me shumicë serbe, por jo autonomi. Është vetëm një decentralizim asimetrik ku ka disa shërbime në arsim, në arsimin universitar, së treti kujdesi shëndetësor, por gjithashtu edhe në siguri ku alokohet për komunat”.

Bislimi s’kaloi edhe pa kërkesën për të qartësuar atë që është arritur dje. Këtu ai s’dalloi nga përgjigjja që e dha edhe BE-ja.

“Ajo që është arritur dje është se palët nuk do të diskutojnë më për propozimin e BE-së, por që të fokusohet në pjesën e dytë, e cila është edhe më e rëndësishme se vetë arritja e marrëveshjes që ka të bëjë me zbatimin. Në pikëpamjet tona ne duhet të fokusohemi në energjinë, në dizajnimin e një ankesi të duhur të zbatimit. Ne besojmë që vetëm një aneks zbatimi i detajizuar dhe konkret do të rrisë mundësinë që marrëveshja e arritur dje nuk është vetëm njëra prej 34 marrëveshjeve të arritura, por është hap i vërtetë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Bislimi tha se kontributet e palës kosovare në këtë aneks do të shfaqin seriozitetin që ka kjo palë për këtë marrëveshje.

“Kosova dje ishte e gatshme, si një shenjë e përkushtimit, që ta nënshkruajë dokumentin, që do të ngriste relevancën e dokumentit si një përkushtim politik i të dyja palëve. Por, s’kishe gatishmëri nga ana tjetër për ta nënshkruar. Ne shpresojmë që mungesa e gatishmërisë të mos ketë të bëjë me elementet e marrëveshjes, por ndoshta më shumë ka të bëjë me dinamikat ndërkombëtare politike në vendin tjetër”.


(Kosova Sot Online)