Nga kjo datë pritet shtrenjtim i rrymës në Kosovë

  • A.P /
  • 01 March 2023 - 16:57
Nga kjo datë pritet shtrenjtim i rrymës në Kosovë

Nga 1 prilli i këtij viti, do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike. Këto tarifa do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji i ka thënë se bazuar në vlerësimet preliminare, këto tarifa do të jenë më të shtrenjta se aktualet për 14 përqind.

“Tarifat e reja hyjnë në fuqi me 01 prill 2023 dhe zgjasin deri me 31 mars 2024. Vlerësimet preliminarë te prezantuara në Raportet Konsultativë tregojnë një rritje rreth 14%”, ka deklaruar Pepaj.

Deri tash, Pepaj thotë se asnjë palë s’ka dërguar komente për këtë çështje, edhe pse kanë mbetur vetëm edhe dy ditë kohë.

“Koha për pranimin e komenteve është deri me 3 mars 2023, deri me tani nuk kemi pranuar komente nga asnjë palë e interesit”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.

Nga KEDS e kanë konfirmuar para një jave se kanë dorëzuar kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë.

Margarita Rashiti, zëdhënëse e KEDS-s i ka thënë  se janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor.

“Janë plotësuar të gjitha parakushtet ligjore për aplikim te shqyrtimit tarifor. Ne e kemi bërë kërkesën në ZRrE, por per detaje drejtojuni kësaj të fundit“, kishte thënë Rashiti.

(Kosova Sot Online)