Rama e nis menjëherë me fyerje ndaj opozitës: Ujëra të zeza, jashtëqitje...

  • E.K /
  • 02 March 2023 - 11:13
Rama e nis menjëherë me fyerje ndaj opozitës: Ujëra të zeza, jashtëqitje...

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij në seancën e sotme plenare duke përdorur menjëherë fyerje ndaj opozitës shqiptare.

Ai përdori terma si ujëra të zeza apo jashtëqitje, duke sjellë reagimin nga salla të deputetëve opozitarë.

“Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht.

Çfarë ka ndodhur konkretisht: Një ish-zyrtar i FBI akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Prokurorët sipas tyre kanë pikasur edhe një sërë shkeljesh që lidhet me udhëtimet në vendin tonë, ku në aktakuzë thuhet se ai ka ardhur edhe në Shqipëri dhe është takuar me mua. Aktakuza thotë se ai nuk i ka deklaruar takimet me mua dhe ka marrë edhe para borxh. Në aktakuzë gjithashtu flitet edhe për çështjen e hetimeve të parave ruse në PD. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç personit. Kaq janë faktet. Por pavarësisht një hetimi të gjatë që unë kam marrë vesh vetëm kur ka dalë në media, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje përveç raportimit korrekt të takimeve me mua”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)