Tahiri: Marrëveshja e forcon pozicionin e vendit, Qeveria të ketë kujdes për trajtimin e nenit 7 dhe 10

  • E.K /
  • 02 March 2023 - 15:22
Tahiri: Marrëveshja e forcon pozicionin e vendit, Qeveria të ketë kujdes për trajtimin e nenit 7 dhe 10

Besnik Tahiri nga AAK-ja, ka thënë se AAK e përkrah marrëveshjen sipas propozimit europian, përcjell “Kosova Sot Online”.

Tahiri ka shtuar se ky propozim ka metat e veta, por që AAK-ja e përkrahë për shkak të rrethanave që ndodhet Kosova.

Ai i ka sugjeruar Kurtit që të ketë kujdes sa i përket nenit 7 dhe 10 ku flitet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka pasur kritika edhe për mos transparencën në dialog.

“Ne kemi vlerësuar që ky dokument është në interes për vendin, në veçanti në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, e organizata të ndryshme ndërkombëtare. Pa dyshim që ky propozim i ka të metat e veta, mirëpo ky propozim e ka marr përkrahjen tonë për shkak të rrethanave në të cilat është Kosova. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë më mbështetjen e Kurtit e as qeverisë së tij, por ka të bëjë me një qëndrim që në rrethana që është Kosova kërkon një qëndrim më të thellë dhe të drejtë”.

“Adresa jonë për mbrojtjen nga Asociacioni është vendimi i Kushtetutës. Ajo çka duhet të thuhet këtu është se Qeveria duhet që të ketë kujdes për trajtimin e nenit 7 si dhe 10. Kryeministër, kuvendin e ke thirr vetëm kur ke pas nevojë për mbështetje. Kuvendi ka qenë i anashkaluar, dhe sot kur po e trajtojmë këtë temë duhet që të kesh kujdes në trajtimin e saj. Prej Aleancës sa i përket kësaj marrëveshje e ki mbështetjen. Por ki kujdes se udhërrëfyesi mund të krijojë struktura që e pengojnë marrëveshjen finale”, tha Tahiri.

(Kosova Sot Online)