Ky shtet shpall gjendje të jashtëzakonshme

  • A.P /
  • 02 March 2023 - 18:13
Ky shtet  shpall gjendje të jashtëzakonshme

Në 13 qarqe të Kalifornisë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme pasi vendi u godit nga moti i keq.

Ekipet e shpëtimit po punojnë vazhdimisht për të hapur rrugët në zonat malore që janë bllokuar nga bora. Sipas BBC, një grua 80-vjeçare humbi jetën kur tarraca e saj u shemb për shkak të borës së madhe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në të njëjtën kohë, parku kombëtar popullor Yosemite i shtetit u mbyll për një kohë të pacaktuar. Reshjet rekord të borës e detyruan parkun të mbyllet javën e kaluar.

Më shumë se 75,000 banorë dhe biznese të Kalifornisë janë pa energji elektrike. Një operacion për heqjen e borës është duke u zhvilluar në San Bernardino, në lindje të Los Anxhelosit, por mund të duhet më shumë se një javë që mjetet e borës të arrijnë në disa zona, tha për Associated Press, Dawn Rowe kryetare e Bordit të Mbikëqyrësve të qarkut.

Në disa zona bora ka arritur deri në dy metra, ndërsa autoritetet kanë kryer 17 operacione shpëtimi për të ndihmuar skiatorët.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikon një lehtësim të lehtë të motit të keq në ditët në vijim, por temperaturat do të mbeten nën mesataren.

Më shumë se 18 milionë njerëz në të gjithë Kaliforninë janë njoftuar për rrezikun e ngricave që nga mëngjesi i së enjtes.

(Kosova Sot Online)