Detajet që fshehu Rama në Kuvend për McGonigal-in

  • A.P /
  • 02 March 2023 - 20:00
Detajet që fshehu Rama në Kuvend për McGonigal-in

Këtë të Enjte, nga salla e Parlamentit ku vendosi të japë një version të tijin për skandalin ‘McGonigal’, Edi Rama mbushi hapësirën parlamentare dhe mediatike me të pavërteta ose gjysëm-të vërteta, të cilat, më shumë e rëndojnë pozitën e tij se sa e shpëtojnë.

1. Që në hyrje të fjalës së tij, Rama deklaroi se opozita është përfshirë në një përpjekte të dëshpëruar për të shfrytëzuar një proces gjyqësor në Amerikë, i cili ‘s’ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht.  

Qëndrimi i kryeministrit është i pavërtetë.

Juria e Madhe e Uashingtonit, sipas një dokumenti të publikuar nga gazeta amerikane ‘Bussines Insider’ në Shtator 2022, ngarkon prokurorin e çështjes, që, në kuadër të hetimeve për ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, ndër të tjera:

 ‘Të mbledhë të dhëna nga qeveria shqiptare ose çdo person tjetër të lidhur me qeverinë e Shqipërisë, përfshirë, por pa u kufizuar, tek kryeministri Edi Rama’.

Pra, ndryshe nga sa pretendon Rama, hetimi amerikan ka të bëjë jo vetëm me atë personalisht, por edhe me qeverinë që drejton ai.

2. Në vijim të fjalës së tij, kryeministri i mori me radhë pikat e përmendura në akt-akuzën e Jurisë së Madhe ku përmendej emri i tij, duke i justifikuar me radhë.

‘Hera e parë pika 8, faqja 3: Personi B ka punuar si këshilltar jo-zyrtar i Kryeministrit Edi Rama’. Po, E vërtetë. Dorian Duçka ishte këshilltar i jashtëm pranë meje në ato vite, ky është fakt, por krimi apo komprometimi në këtë fakt ku janë’?

Rama harroi të përmende se Personi B, Dorian Duçka, kishte pasaportë diplomatike dhe një adresë zyrtare të qeverisë shqiptare. Pra ai nuk ishte thjesht një këshilltar pa pagesë, por shumë më tepër se aq.

Sipas akt-akuzës amerikane, Dorian Duçka ka një rol aktiv në këtë histori, ndër të tjera sepse përmendet që u ka paguar shpenzimet dëshmitarëve që do të jepnin deklarime në kuadër të një hetimi që kishte nisur FBI e Nju Jorkut ndaj një lobisti amerikan që kishte vepruar për llogari të Partisë Demokratike, të drejtuar në atë kohë nga Lulzim Basha.  

3. Rama vazhdoi mbrojtjen e tij: ‘Pika 22, faqja 6, hera e 2-të; Në 9 Shtator 2017, McGonigal dhe Personi B takuan në Shqipëri Kryeministrin e Shqipërisë. Shumë e saktë , është fakt. Pyetja është, ku është krimi apo komprometimi në këtë fakt?

Hera 3: McGonigal iu shpreh kryeministrit të Shqipërisë që të tregojë kujdes me shoqëritë ruse që mund të përdorin licensa në sektorin strategjik të naftës në Shqipëri. Shumë e vërtetë dhe ky është fakt që ish-shefi i kundër inteligjencës në Neë York më ka thënë që të jemi të kujdesshëm lidhur me shoqëritë ruse që mund të përdorin dhe të tjerë për të hyrë në sektorin strategjik të naftës. Po ku është komprometimi apo krimi në këtë fakt?

Rama qëllimisht nuk e lexon të plotë këtë pikë të akt-akuzës së Jurisë së Madhe të Nju Jorkut.

Teksti në akt-akuzë vijon: Personi A dhe Personi B që ishin në atë takim, e konkretisht Agron Neza dhe Dorian Duçka kishin interesa financiare në vendimmarrjen e qeverisë shqiptare për licensat e naftës.

4. Rama vijoi më tej në fjalën e tij në Parlament: ‘Hera 4: ‘McGonigal i dha dhurata Kryeministrit të Shqipërisë në prani të Personit B’. Edhe kjo është shumë e saktë. Po çfarë krimi apo komprometimi mund të konsiderohet fakti i dhënies apo marrjes së dhuratave simbolike të cilat shkëmbehen rëndomë kur bëhen vizita? Në rastin në fjalë, kur vizitova zyrat e FBI-s në Neë York, drejtori i kundër inteligjencës më dhuroi një kapele të FBI-së. E kam dhe sot e gjithë ditën në zyrë’.

Rama e thjeshtoi shumë këtë moment. Por, fakti që Juria e Madhe e ka përfshirë në akt-akuzë edhe këtë detaj, nuk duket se bëhet fjalë thjesht për një kapele të loguar FBI. Megjithatë, dhurata është bërë në një takim të ngushtë Rama-McGonigal dhe të dhëna më të detajuara mund të gjenden vetëm në dosjen e prokurorisë amerikane.

5. Takimi tjetër, sipas Ramës: ‘Hera 6: Pika 28, faqja 7. McGonigal u takua me kryeministrin e shqiptar në Shqipëri dhe me një politikan kosovar. Përsëri takim. Po, ai është takuar me mua në Shqipëri. Pyetja mbetet: Krimi apo komprometimi ku janë këtu? Akt-akuza nuk flet për asnjë bisedë. Akt-akuza thotë këto që po lexoj unë. Pastaj bisedat imagjinare janë është tjetër’.

Është e vërtetë që akt-akuza nuk flet për llojin e bisedave në këtë takim. Po ashtu, ndoshta është edhe rastësore që akt-akuza e Jurisë vijon me faktin që disa ditë pas këtyre takimeve në Shqipëri, Personi A, pra Agron Neza, i jep zyrtarit të FBI-së, McGonigal 80 mijë dollarë jashtë një restoranti në Nju Jork.

Kjo rastësi përsëritet edhe më tej.

6. Rama citoi sërish akt-akuzën amerikane në Parlament: ‘Hera 7: Pika 34, faqja 8. Përsëri në nëntor 20, 2017 I akuzuari McGonighal u takua me kryeministrin e Shqipërisë në Shqipëri. Po, shumë e saktë. Dakord. Nuk e mbaj mend a ka qenë tamam 20 po s’ka asnjë diskutim që ata e kanë të saktë. 20 nëntor. Po fakti i krimit dhe komprometimit ku është këtu? Këtë do t’ua tregoj më mbrapa se ku është’.

Edhe në këtë takim, akt-akuza nuk përmend llojin e bisedave. Megjithatë, po për rastësi ndoshta, në akt-akuzë përmendet se ‘në fund të vitit 2017, Personi A, pra Agron Neza i jep McGonigalit shuma prej 80 mijë dollarë dhe 65 mijë dollarë, të cilat do t’i merrte mbrapsht në një kohë më të vonë.

 

7. Kryeministri vijoi mbrojtjen e tij në Parlament: ‘Hera 8: Pika 36,faqja 8. Në 25 nëntor 2017, McGonigal informoi prokurorin e Departamentit të Drejtësisë për të nisur një hetim penal ndaj një qytetari amerikan që kishte kryer lobim në SHBA në favor të një partie politike shqiptare, ndryshme nga ajo e kryeministrit.

Dhe vazhdon dhe del tek, – se është pak e gjatë, – tek fakti që një qytetar amerikan i regjistruar në SHBA për të lobuar për një parti që s’është partia e kryeministrit. Këtë nuk kam asnjë arsye ta vë në dyshim, unë personalisht se e dinë më mirë ata që e kanë shkruar, por unë personalisht kam shkruar si fakt pikërisht nga leximi i aktakuzës sepse e vërteta është se shefi i sigurisë nuk ma ka thënë kurrë dhe as ia kam kërkuar diçka të tillë, natyrisht, jo sepse më ka ardhur zor ose sepse nuk do të doja t’ia kërkoja, por se e di mirë kufirin etik mes pozicionit të kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë të shteteve te tjera por sidoqoftë pyetja që shtrohet mbetet po ajo; ku është këtu komprometimi apo krimi?!  

Por Rama nuk përmend se akt-akuza e Jurisë së Madhe për këtë pikë vijon: ‘Në 4 Janar 2018, McGonigal mori të dhëna për lobistin amerikan nga Personi A, Agron Neza dhe ia përcolli Agjentit Speciale të FBI-së një ditë më pas.

8. Në vijim të fjalës në Parlament, Rama u shpreh: ‘Hera e njëmbëdhjetë, pika 40, faqja 9. Personi A ka marrë informacione nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë.

Këtu do ndaloj pak se kjo është e rëndësishme. Këtu bëhet fjalë për informacionin që aktakuza thotë se personi A ka marrë nga zyra ime lidhur me skandalin e financimit rus të Partisë Demokratike. Koha së cilës i referohet ky moment përkon me ditët pasi skandali kishte dalë në media këtu dhe unë apo zyra ime, dëgjojeni mirë këtë se është shumë e rëndësishme, duhet ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët edhe demokratët, nuk kishim asgjë tjetër lidhur me këtë përveç informacioneve të dala në media se po t’i kishim, si do i mbanim të fshehura? Për çfarë, për të mbrojtur Lulin? Apo për të mbrojtur tutorin e Lulit, se Luli nuk i merrte vetë paratë ruse, lërë se ç’thotë tutori që nuk dija gjë.

Nga ana tjetër, e kam thënë dhe e përsëris, që po të kisha patur çfarëdo informacioni, më shumë se ato që dolën në media, për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë, do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja, pa asnjë diskutim, nga organizatat partnerë të ndjeshme për këto çështje dhe FBI-së patjetër, të parës fare.

Problem për vendin do ishte e kundërta, që unë të kisha informacion që rusët hidhnin para për birra dhe këndimin e himnit tek çadra poshtë dritares sime për të rrëzuar qeverinë dhe të mos tregoja.

Kryeministri Rama përmendi vetëm një fjali nga akt-akuza për këtë pikë dhe pjesën tjetër e kishte retorikë politike.

Por, akt-akuza e Jurisë së Madhe, në mënyrë shumë të përmbledhur, ka përfshirë në dy paragrafe vijuese atë që duket si një skenar i përgatitur për të goditur rëndë opozitën në Shqipëri.

Në paragrafët vijues të akt-akuzës, e konkretisht në pikën 41, thuhet se: ‘Në Shkurt 2018 FBI e Nju Jorkut hapi hetim penal ndaj lobistit amerikan me kërkesë të McGonigalit. Personi A, pra Agron Neza, ka shërbyer si burim konfidencial i këtij hetimi. Ndërsa personi B, Dorian Duçka, ka lehtësuar takimet ndërmjet FBI Nju Jork dhe dëshimtarëve që gjendeshin në Europë, duke paguar udhëtimet e këtyre të fundit. 

Pasi tha këto gjysëm të vërteta dhe, në ndonjë rast edhe të pavërteta, kryeministri Edi Rama zgjodhi të largohet nga salla e Parlamentit dhe të mos përballej me qëndrimet e opozitës.


(Kosova Sot Online)