Lëvizja e radhës e Berishës/ Mbledh Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar në fundjavë

  • S.A /
  • 04 March 2023 - 12:14
Lëvizja e radhës e Berishës/ Mbledh Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar në fundjavë

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për çështjen e logos së Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk dha një përgjigje të qartë se cila do të jetë lëvizja e radhës, shkruan lapsi.al, përcjell "Kosova Sot Online".

“PD-ja është sot një parti më e fuqishme se kurrë, ajo do të mbledhë këto ditë forumet e saj dhe mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme” – tha Berisha në një deklaratë për mediat.

Më pas ai ka zhvilluar një takim të gjatë në zyrën e tij me një pjesë të mbështetësve dhe kanë vendosur që të mbledhin forumet. Mësohet se të shtunën në orën 12.00 do të mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike për të vendosur cila do jetë lëvizja e radhës.

Vendimet e kryesisë do të diskutohen më pas edhe të dielën në orën 17.00 në një mbledhje të Këshillit Kombëtar. Në fokus do të jetë edhe mënyra se si PD do të regjistrohet në zgjedhjet e 14 majit. ©LAPSI.al

(Kosova Sot Online )