San: NATO po monitoron nga afër situatën e sigurisë në Kosovë

  • A.P /
  • 05 March 2023 - 14:00
San: NATO po monitoron nga afër situatën e sigurisë në Kosovë

KFOR-i vazhdon të luajë një rol kyç për stabilitetin në Kosovë dhe rajon, derisa ka potencuar se NATO-ja mbështet plotësisht përpjekjet e vazhdueshme në kuadër të dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar zëvendës Ndihmës Sekretarja e Përgjithshëm NATO-s për Operacionet, Burcu San, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Ne i ndjekim nga afër zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha San.

Ajo shtoi se progresi politik është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdimisht thekson këtë pikë dhe inkurajon liderët nga Beogradi dhe Prishtina që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në proces. Ka ardhur koha që të gjitha palët të bëjnë dhe zbatojnë marrëveshje për të ardhmen e këtij rajoni”.

“Në këtë drejtim, ne mirëpresim bisedimet e nivelit të lartë të mbajtura nën kujdesin e BE-së në Bruksel më 27 shkurt dhe i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të avancojnë më tej në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve”.

Sipas saj, “ky mund të jetë një vit i përparimit të rëndësishëm politik”, meqë sqaron se “nuk ka perspektivë reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan pa respekt të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

“NATO po monitoron nga afër situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në dritën e tensioneve të muajve të fundit. KFOR-i ka kontribuar efektivisht në de-përshkallëzimin e situatës në disa raste. Forcat e KFOR-it janë plotësisht të afta dhe të gatshme për të ndërhyrë nëse ekziston një kërcënim për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e OKB-së”.

Ajo ka treguar se që nga tetori i vitit të kaluar, KFOR-i ka shtuar praninë e tij në veri të Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesor, të cilët janë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe komunitetit ndërkombëtar”.

(Kosova Sot Online)