Walker Kurtit: Duroje presionin, sepse me këtë marrëveshje më shumë po ndahet sesa po bashkohet Kosova

  • E.K /
  • 07 March 2023 - 08:05
Walker Kurtit: Duroje presionin, sepse me këtë marrëveshje më shumë po ndahet sesa po bashkohet Kosova

Në Oher të  Maqedonisë së Veriut takimi që do të mbahet në mes Kosovës dhe Serbisë pritjet janë të mëdha që këto dy vende të nënshkruajnë marrëveshjen për planin evropian, që ka për synim normalizimin e marrëdhënieve mes dyja shteteve, përcjell “Kosova Sot Online”.

Por, i shqetësuar me këtë marrëveshje po shprehet diplomati i njohur amerikan, William Walker.

Walker tha se marrëveshje nuk shkruan që Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj, ku ai shtoi se kjo është mjaft zhgënjyese.

Ai shprehet i bindur se gjërat po shkojnë në drejtimin e gabuar për Kosovën dhe se kjo gjë nuk është mirë për të ardhmen e Kosovës.

Walker shtoi se nuk mund ta pranoj këtë plan.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këtë propozim të Bashkimit Evropian, e që e ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund ta pranoj këtë plan kur po flitet për një formë autonomie për komunitetin serb në Kosovë. Unë nuk e shoh që komuniteti serb është i diskriminuar në Kosovë, përkundrazi kanë shumë të drejta, madje kanë edhe ulëse të siguruara në Kuvend. Mendoj se gjërat janë duke shkuar në drejtimin gabuar dhe kjo nuk është aspak mirë për të ardhmen e Kosovës”, tha Walker.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka edhe një mesazh për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Në këtë marrëveshje askund nuk shkruan që Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj dhe kjo është shumë zhgënjyese. Çështja e pavarësisë duhet të jetë prioritet, e më pas duhet të diskutohet për pikat e tjera. Unë e kuptoj mirë që Kryeministri Kurti është para një presioni të madh nga BE-ja dhe SHBA-ja, siç kanë qenë edhe të tjerët, por kjo marrëveshje për mendimin tim nuk është në interesin e Kosovës. Nëse sot do të flisja me Kurtin, do t’i thosha atij: duroje presionin, sepse me këtë marrëveshje më shumë po ndahet sesa po bashkohet Kosova. Prandaj, jam shumë i zhgënjyer që SHBA-ja po e mbështesin Bashkimin Evropian për këtë propozim”, u shpreh Walker.

(Kosova Sot Online)