Milanoviq - Gërvallës: Mund të llogarisni fort tek ne

  • A.P /
  • 07 March 2023 - 16:35
Milanoviq - Gërvallës: Mund të llogarisni fort tek ne

Nga presidenti kroat, Zoran Millanoviq, sot është pritur shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në këtë takim është diskutuar për propozimin franko-gjerman për normalizim të raporteve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe institucionet tjera ndërkombëtare dhe për perspektivat euroatlantike të Kosovës.

Millanoviq i ka thënë Gërvallës se Kosova gjithmonë e ka pasur dhe mund të llogarisë përherë në mbështetjen e fortë të Kroacisë kur është fjala për afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë.

“Presim që të gjithë anëtarët e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës” ka thënë presidenti Milanoviq.

Po ashtu, Millanoviq ka mirëpritur përpjekjet që shkojnë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij “do të siguronin stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore dhe do të siguronte një perspektivë evropiane për të gjithë rajonin”.

Presidenti kroat në fillim të këtij viti kishte bërë një deklaratë që kishte nxitur mjaft reagime, duke thënë se “Kosova ishte rrëmbyer nga Serbia”. Kështu ishte deklaruar teksa kishte folur për zhvillimet në Ukrainës.

Ndaj Milanoviq kishte reaguar ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq, i cili në një prononcim për Express kishte deklaruar se Kosova si të gjitha ish-pjesët e Jugosllavisë kishte pasur të drejtën për pavarësi.

(Kosova Sot Online)