Pesë veturat e parkuara shpëtuan 50 persona në Turqi

  • A.P /
  • 08 March 2023 - 15:25
Pesë veturat e parkuara shpëtuan 50 persona në Turqi

Ndërkohë që ka kaluar më shumë se një muaj nga tërmetet e 6 shkurtit, që shkaktua mbi 51 mijë viktima dhe qindra miliarda euro dëm ekonomik, histori me fund të lumtur vijojnë të vijnë nga zonat më të prekura, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

CNN Turk raporton se në një pallat 5-katësh në Antakya, ku jetonin 50 persona, asnjëri prej tyre nuk humbi jetën, edhe pse pallati u dëmtua shumë rëndë, për shkak të 5 makinave. Mjetet, e parkuara poshtë pallatit, arritën ta mbanin godinën në këmbë, duke u lejuar banorëve të largoheshin në kohë.

56-vjeçari Ismail Gürler, një prej banorëve të pallatit, makina e të cilit u shtyp nga tërmeti, tregon mes lotësh atë që ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit. “U dëgjua një zhurmë shumë e madhe, filluam menjëherë të vraponim me fëmijët. Pastaj dëgjuam një zhurmë të dytë dhe na u duk sikur pallati po rrotullohej. U përpoqëm të shkonim drejt derës por nuk e hapëm dot pasi ishte bllokuar nga shembjet. Më pas dolëm në ballkon. Lidhëm batanijet dhe zbritëm duke u varur nga kati i dytë. Na iku shtëpia, makina, pasuria, por jemi gjallë. E kishim blerë shtëpinë 4 muaj më parë, gjithçka aty ishte e re”.

Gürler tregoi edhe si arritën të shpëtonin banorët e tjerë, shumica e të cilëve janë të moshuar. “Për shkak se pallati u dëmtua, por nuk u shemb, ata arritën të zbrisnin në garazh. Aty qëndruan një ditë e më pas dolën. Shumica pësuan dëmtime të lehta. Makinat penguan pallatin të shembej plotësisht”, tha ai.

Më pas Gürler arriti të rifutej nga dritarja në banesë, përmes vinçit, për të marrë disa prej sendeve.

(Kosova Sot Online)