Abdixhiku: Dialogu është një proces të cilin Kosova duhet ta trajtojë me prioritet

  • A.P /
  • 08 March 2023 - 18:07
Abdixhiku: Dialogu është një proces të cilin Kosova duhet ta trajtojë me prioritet

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku  është takuar me zyrtarë francezë në tri institucionet më të larta në Francë,  Pallatin Elysse, Senat dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, me të cilët ka biseduar për procesin e negociatave Kosovë-Serbi, dhjetë ditë para takimit të Ohrit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se dialogu është një proces të cilin Kosova duhet ta trajtojë me prioritet si një mjet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obligative me njohjen në qendër.

Gjithashtu, Abdixhiku ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve të kaluara në përputhje me Kushtetutën e Kosovës është rrugë pa alternativë.  

 “Implementimi i marrëveshjeve paraprake, konform rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nuk kanë alternativë. Kryetari Abdixhiku ka shtruar po ashtu, domosdoshmërinë e hapjes së rrugës së re, drejt integrimit euroatlantik, me theks të veçantë, anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO; dhe mbështetjen që Franca mund ta jep në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e LDK-së, raporton Express.

Dy partitë opozitare, LDK dhe PDK kanë qenë kritike për Kurtin lidhur me propozimin franko-gjerman. Vetë Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës kishte thënë se në propozimin franko-gjerman s’gjendet asgjë prej atyre që Kurti i kishte premtuar me kornizën e tij për negociatat.

Një qasje kritike e opozitës në këtë fazë të procesit nuk është parë mirë nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të cilët edhe s’kanë ngurruar që të bëjnë kritikë për PDK-në dhe LDK-në.

(Kosova Sot Online)