Gjykata shpall fajtorë ish-drejtorin e Sekretariatit të KPK-së

  • A.P /
  • 09 March 2023 - 15:55
Gjykata shpall fajtorë ish-drejtorin e Sekretariatit të KPK-së

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve L.K, A.K, M.B dhe F.D.

Gjykata njofton se ish drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në vlerë prej 8.000 euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj për veprën penale Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës së Kosovës. Konform nenit 44 të KPP-së.

“Të akuzuarit  L.K dënimi me burgim mund  ti zëvendësohet në dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro, në dënimin e shqiptuar do të llogaritet dhe koha e kaluar ne paraburgim  nga data 01.03.2021 deri me datë 30.03.2021 dhe arrest shtëpiak nga data 29.05.2021 deri me datë 29.07.2021”, thuhet në njoftim.

“I akuzuari L.K për veprat penale Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, pasi që nuk është provuar nga gjykata se i akuzuari ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar”, vijon njoftimi i gjykatës.

Tutje, gjykata njofton se i akuzuari Ardian Krasniqi “është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vite e tetë (8) muaj dhe dhe dënim me gjobë në shumë prej 6.000 euro, për veprat penale Falsifikimi i dokumenteve, sipas nenit 390, par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së dhe Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 par.1 lidhur me të KPRK-së, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në dënimin e shqiptuar me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim 03.03.2021 deri me dt.30.03.2021 dhe prej dt.05.05.2021 deri me dt.29.07.2021, si dhe në arrest shtëpiak prej dt.30.03.2021 deri me dt.05.05.2021. I akuzuari A.K  lirohet nga akuza se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kishin për të kryer veprën penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 424 paragrafi .1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

E akuzuara Marigonë Berisha është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 5.000 euro, për veprën penale Falsifikimi i dokumenteve sipas neni 390, par.1 të KPRK-së, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, e në të cilin dënim e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak  prej dt.01.03.2021 deri me dt.31.03.2021.

“E akuzuara M.B lirohet nga akuza për veprën penale Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale sipas nenit 333, par.1 të KPRK-së”, njofton gjykata, transmeton gazeta "Kosova Sot Online"

E akuzuara F.D lirohet nga akuza për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, pasi që nuk është provuar nga gjykata se e njëjta ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


(Kosova Sot Online)