Lajçak pas Kurtit do ta takoj edhe Vuçiqin

  • A.P /
  • 09 March 2023 - 18:37
Lajçak pas Kurtit do ta takoj edhe Vuçiqin

Në agjendën e 18 marsit në Ohër, do të takohen Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Lajçak që qëndroi të enjten në Kosovë ka shpresa se pajtimi mund të ndodhë në Maqedoninë e Veriut.

“Ne duhet të pajtohemi se si duhet të implementohet. Përndryshe nuk do të jetë obligative. Patëm një bisedë konstrutkive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin. Gjithashtu takova edhe presidenten. Qëllimi kryesor i këtij takimi është se si Kosova e sheh implementimin. Ky takim përmbushi pritjet e mia në këtë kontekst”, tha Lajcak pasi doli zyra e Kurtit të enjten.

Ai njoftoi se të hënën dhe të martën do të qëndrojë në Beograd për të marrë edhe qëndrimin e palës serbe.

Kryeministri Kurti dje ka dhënë pikëpamjen e tij se si duhet të jetë ai që tani njihet si “plani i zbatimit” ose “aneksi”.

“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars në Maqedoninë e Veriut në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ja bashkëngjisim përkufizim të dakorduar evropian dhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, ka thënë Kurti, pas një vizite në një biznes në Graçanicë.

Në takimin e 27 shkurtit mes Kurtit dhe Vuciqit, nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje, por megjithatë pati një dakordim që propozimi evropian më s’do të diskutohet.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se tash qëllimi kryesor është që të arrihet pajtimi rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e marrëveshjes.

Sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian, që ka folur më 2 mars me gazetarë, Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit.

Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që ai thotë se kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes, dhe interpretimit të palëve.

“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ky zyrtar.

(Kosova Sot Online)