Haradinaj: BE nuk e ka të qartë se si dëshiron të arrijë deri te marrëveshja finale Kosovë – Serbi

  • E.K /
  • 10 March 2023 - 08:34
Haradinaj: BE nuk e ka të qartë se si dëshiron të arrijë deri te marrëveshja finale Kosovë – Serbi

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka thënë se Bashkimi Evropian, nuk e ka të qartë se si do të arrijë deri te marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjes së dakorduar në Bruksel, Haradinaj pikën më shqetësuese e konsideroi çështjen e Kishës Ortodokse Serbe, derisa shtoi që kjo është pjesë e brendshme e Kosovës dhe se është çështje e dialogut të Qeverisë së Kosovës.

“Unë e shoh që Bashkimi Evropian si fasilitues i kësaj marrëveshje, apo këtij dialogu, nuk e ka të qartë as çka dëshiron të arrijë, e as si do të arrijë deri te marrëveshja finale. Ndërsa pika më shqetësuese, është edhe çështja e Kishës Ortodokse. Nuk ka marrëveshje në dialogun e Brukselit për Kishën Ortodokse, kjo është çështje e brendshme e Kosovës, është çështje e dialogut të Qeverisë së Kosovës. Pika e 6 e marrëveshjes më është dukur ofendim. Pasi çështja e të pagjeturve trajtohet së bashku me sportin, energjinë, telekomunikimin, do të thotë është një shpërfillje totale dhe e pa përgjegjshme. Qeveria Kurti ka vazhduar linjën e njëjtë si ajo e qeverive të kaluara në dialog”, deklaroi Haradinaj.

(Kosova Sot Online)