Policia kthen në Shqipëri 2 vajzat e vogla që e ëma i la në Suedi për azil

  • E.K /
  • 10 March 2023 - 12:09
Policia kthen në Shqipëri 2 vajzat e vogla që e ëma i la në Suedi për azil

Policia e Shtetit dhe ajo suedeze kanë bashkëpunuar dhe kanë kthyer në Shqipëri, dy vajza të vogla, motra, 13 dhe 15 vjeçe, që nëna e tyre i la qëllimisht në Suedi që të përfitonin azil. Vetë nënën, një grua 36 vjeçare me iniciale D.Ç , Policia shqiptare e ka proceduar në gjendje të lirë për braktisje të fëmijëve të mitur.

Rasti përbën një nga dramat e shumta të dhimbshme të familjeve shqiptare që kërkojnë t’i largohen varfërisë dhe mjerimit në vendin e tyre.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit, për këtë rast prekës, thuhet:

Policia Kufitare e Rinasit ka intensifikuar masat për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të atyre shtetasve që braktisin fëmijët e mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin.

Procedohet penalisht një 36-vjeçare, pasi braktisi në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin azil në këtë shtet.

Policia Kufitare e Rinasit, në vijim të punës për parandalimin e azilkërkimit dhe braktisjen e fëmijëve apo familjarëve të mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin, ka intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar dhe intervistimet për arsyen dhe qëllimin e udhëtimit jashtë vendit apo të atyre që kthehen në Shqipëri, duke braktisur fëmijët apo familjarët e mitur, me qëllim kërkimin e azilit.

Si rezultat, është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Ç., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase ka braktisur në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin dhe të përfitonin azil, në këtë shtet. Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, 2 shtetaset e mitura janë kthyer në Shqipëri.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistime për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin.

(Kosova Sot Online)