Ja çfarë tha Saranda Bogujevci kur i reagoi deputeti i Vetëvendosjes

  • A.P /
  • 10 March 2023 - 16:20
Ja çfarë tha Saranda Bogujevci kur i reagoi deputeti i Vetëvendosjes

Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar, që u prezantua në seancën e djeshme nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është bërë shkak që deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i ka dalë sërish kundër partisë së tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rrahmani doli kundër nenit që parasheh që të drejtën për fertilizim të asistuar mjekësor (FAM) mund ta shfrytëzojnë edhe gratë e pamartuara.

Ai i kërkoi Ministrit Vitia që ta tërheq këtë projektligj dhe të rishikohet, meqë tha se në formën që është aktualisht “cenon familjen”.

“Parimisht, mendoj që duhet të rishikohet ky projektligj i propozuar nga Ministri, për shkak që cenon familjen, familjen të cilën neve, ose të paktën unë personalisht besoj dhe angazhohem për mbrojtjen e vlerave të saj. Njëri prej neneve ku këtu sqarohet se e drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara, por edhe çështje tjera që u folën nga deputetë parafolës. Une personalisht nuk do të marr pjesë në këtë votim dhe kisha kërku nga Ministri që ta tërheq dhe ta diskutoj dhe t’i merr parasysh kritikat e deputetëve”, tha Rrahmani.

Deklarata e Rrahmanit e nxori në foltore bashkëpartiaken e tij, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin.

Ajo ndau edhe një përvojë personale të saj, pas së cilës vërshuan reagimet në rrjete sociale.

“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë, që unë përderisa nuk e kam pas mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore ose çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë. Edhe unë duhna me qenë e limitume, në bazë të asaj që e the, vetëm pse një shoqni mendon që një normë duhet me qenë në një formë të caktume. Edhe përderisa unë kam dashtë me u ba nanë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofru shkenca për me ma mundësu atë të drejtë, e jo me ma determinu një burrë, që unë duhna doemos me pas një burrë me të cilin unë martohem, për me e pas mundësinë me u ba nanë”, tha Bogujevci.

Për të pëmbyllur replikën e saj, Bogujevci tha se është koha që gratë të vendosin për jetën e tyre, pa u imponuar.

“Jo të gjithë mundemi me zgjedh dhe e kemi mundësinë me zgjedh në mënyrën qysh e përcakton shoqnia me e pas mënyrën e jetesës. Kështu që duhet t’i kemi parasysh edhe këto elemente. Ka ardh koha t’i lajmë gratë rehat të vendosin për jetën e tyre, pa i imponu vlera të cilat mendojmë se janë vlerë shoqërore”, përfundoi Bogujevci.

Reagimi i Bogujevcit s’ndikoi që bashkëpartiaku i saj të zbutet në qëndrimin e tij, por tha se e mirëkupton dhe respekton.

“Natyrisht që e mirëkuptoj dhe e respektoj qëndrimin e deputetes Saranda, mirëpo në asnjë mënyrë as qëndrimet e deputetes Bogujevci e as dikujt tjetër nuk ndikojnë në mendimet e qëndrimet e mia edhe për atë se për çka jam këtu. Është e drejtë, natyrisht, që edhe me propozu gjëra të tilla, por është e drejtë edhe e imja që si deputet të kundërshtoj dhe të paraqes vlera të tjera që unë i mendoj që janë si vlera. Natyrisht ashtu siç nuk kemi të drejtë askush t’i ndalojmë askujt që të bëhet nënë, as fëmijëve nuk kemi të drejtë që t’ua ndalojmë të kenë babë”, tha Rrahmani.

(Kosova Sot Online)