Lista Srpska: 'S’marrim pjesë në zgjedhje'

  • A.P /
  • 10 March 2023 - 17:11
Lista Srpska: 'S’marrim pjesë në zgjedhje'

Sipas ministrit Rashiq, pjesëmarrja ose jo e Listës Serbe në zgjedhje jep sinjal për qasjen e Beogradit në dialogun për normalizim.

Perëndimi i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pas dorëheqjeve masive të serbëve të veriut të Kosovës nga institucionet publike. Në valën e këtyre dorëheqjeve, ishin larguar nga pozitat e tyre edhe kryetari i Mitrovicës Veriore, i Leposaviqit, i Zubin Potokut dhe i Zveçanit.

Në situatën e tensionuar në veriun e barrikaduar, zyrtarët evropianë dhe amerikanë, i kërkonin Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani, që të shtynin mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilave u ishte caktuar data, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, kishte vizituar Prishtinën në fillim të dhjetorit për ta sjellë versionin e fundit të planit franko-gjerman dhe për t’i kërkuar Kurtit që të shtyheshin zgjedhjet lokale.

Liderët kosovarë iu bindën kërkesave dhe zgjedhjet u shtyn për në prill, kur mendohej se do të ishte një terren më i përshtatshëm dhe shtensionues mes Kosovës dhe Serbisë.

Situata në terren u qetësua dhe Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së, u  dakorduan edhe për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Por, këto ngjarje nuk e kanë bindur Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e prillit. Deri tash, Lista Serbe nuk ka dëshmuar ndryshe, pos që vepron sipas kërkesave dhe urdhrave të Vuçiqit. Nuk dihet nëse refuzimi i zgjedhjeve është hap i liderit serb, i cili më 18 mars takohet me Kurtin në Ohër, për hapat tutje pas pranimit të propozimit evropian.

Lajmin për mospjesëmarrjen në zgjedhje, Lista Serbe zgjodhi ta japë kur në Prishtinë erdhi Lajcak, i cili po bën përgatitjet e fundit për takimin e 18 marsit.

“…Me këtë rast shfrytëzojmë rastin t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë plotësuar kërkesat për të cilat ne u larguam nga institucionet e Kosovës dhe as nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, thuhej në njoftimin e Listës Serbe.

(Kosova Sot Online)