Sekuestrohen rreth 62 mijë euro

  • A.P /
  • 10 March 2023 - 17:57
Sekuestrohen rreth 62 mijë euro

Policia e Kukësit ka sekuestruar 61.900 euro në doganën Morinit, pasi nuk ishin deklaruar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Nën hetim është vënë një 32-vjeçar me inicialet Q. L., banues në Itali, pasi akuzohet për mosdeklarim të të hollave.

Njoftimi i Policisë së Kukësit:

Sekuestrohen 61 900 euro, procedohet penalisht 32-vjeçari që nuk i deklaroi në PKK Morin.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip ‘Volkswagen’.

Gjatë kontrollit fizik ndaj pasagjerit të këtij automjeti, shtetasit Q. L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 61 900 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Q. L., 32 vjeç, banues në Itali, për veprën penale ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

(Kosova Sot Online)