SHBA e BE presion ndaj Kosovës dhe Serbisë

  • A.P /
  • 10 March 2023 - 19:54
SHBA e BE presion ndaj Kosovës dhe Serbisë

Nga dita kur palët kanë nisur bisedimet  në vitin 2011, këmbëngulja aktuale e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, është më e madhja, ka theksuar njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi..

Me këtë vlerësim pajtohet edhe eksperti i politikës rajonale nga Serbia, Aleksandar Popov, i cili thotë se Prishtina dhe Beogradi “kanë luajtur shumë për t’iu shmangur obligimeve që i kanë marrë”.

Dy vendet janë pajtuar në parim për tekstin e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por, tani, do të duhej të pasonte hartimi i udhërrëfyesit për zbatimin e tij. Kjo është edhe arsyeja e një takimi të paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Por, ditëve të fundit, në opinion dolën deklarata kontradiktore të palëve.

Kurti tha se është i gatshëm për ta nënshkruar propozimin e evropian, ndërsa Vuçiq tha se nuk do ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Deklaratat nënkuptojnë ndryshim qëndrimesh, marrë parasysh se Vuçiq ka thënë më herët se është i gatshëm të punojë për zbatimin e këtij plani, ndërsa Kurti e ka konsideruar atë si “bazë të mirë për vazhdimin e dialogut”.

Propozimi i BE-së, mes tjerash, kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se nuk pret ndonjë “ceremoni të nënshkrimit” të propozimit për normalizimin e marrëdhënieve, më 18 mars në Ohër.

Pas vizitës në Prishtinë më 9 mars, Lajçak tha për një televizion në Kosovë se “pasi të finalizohet marrëveshja [propozimi i BE-së], do të dihet se si do të zbatohet në terren”.

(Kosova Sot Online)