Thirrja e Berishës: Të ngrihemi të gjithë! Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë

  • E.K /
  • 11 March 2023 - 12:09
Thirrja e Berishës: Të ngrihemi të gjithë! Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë

Në aktivitetin e organizuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes së Azem Hajdarit, kryetari demokrat, Sali Berisha foli edhe për shpopullimin masiv të Shqipërisë.

“Ky pushtet është pushteti më barbar, më mizor që kanë njohur shqiptarët. Ne kemi pasur fatin të përjetojmë pushtime të shumta, por asnjë pushtim tjetër nuk ka arritur të spastrojë shqiptarët etnikisht sa ç’ka arritur Edi Rama.

Dhe ky është një kushtrim për çdo shqiptar, në Shqipëri dhe botë, për t’u ngritur. Të mos sodisin këtë vdekje graduale të Shqipërisë. Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë. Shqipëria është djepi, është kushti më themelor i ekzistencës së kombit shqiptar.

Ndaj ftoj shqiptarët t’i dalin zot vendit të tyre ndaj një agresioni barbar të mafies. Shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit.

Nëse në harkun e 8 viteve, largohet një e treta e kombit, në 16 vitet e ardhshme nuk do ketë më shqiptarë këtu.

Ky komb nuk e meriton të zhduket. Ai ka mbijetuar dhe mbijeton në tokat e veta, pa pasur varre përveçse në këto toka,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)