Pse protestat e fundit në Izrael janë më masivet

  • A.P /
  • 12 March 2023 - 10:13
Pse protestat e fundit në Izrael janë më masivet

Qindra mijëra izraelitë kanë marrë pjesë në atë që disa e quajnë protestën më të madhe në historinë e vendit.

Protestat kundër planeve të qeverisë për një rregullim rrënjësor të sistemit gjyqësor kanë nisur prej 10 javësh.

Një numër rekord demonstruesish dolën në qytete si Haifa, ndërsa rreth 200,000 besohet se kanë dalë në rrugë në Tel Aviv.

Kritikët thonë se reformat do të minojnë demokracinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Por qeveria e Benjamin Netanyahut thotë se ndryshimet e planifikuara janë më të mira për elektoratin.

Organizatorët thanë se rreth 500,000 protestues pro-demokracisë dolën në rrugë në mbarë vendin të shtunën, në atë që gazeta izraelite Haaretz e quajti ” demonstrata më e madhe në historinë e vendit”.

Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid u tha turmave në qytetin jugor të Be’er Sheva se vendi po përballet me “krizën më të madhe në historinë e tij”.

“Një valë terrorizmi po na godet, ekonomia jonë po shembet, paratë po ikin nga vendi. Irani sapo nënshkroi dje një marrëveshje të re me Arabinë Saudite. Por e vetmja gjë për të cilën interesohet kjo qeveri është të shtypë demokracinë izraelite,” tha ai.

Tamir Guytsabry, një protestues në Tel Aviv, i tha Reuters: “Kjo nuk është një reformë gjyqësore. Është një revolucion që [po] e bën Izraelin të shkojë në diktaturë të plotë dhe unë dua që Izraeli të mbetet një demokraci për fëmijët.


(Kosova Sot Online)