Pse Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje?

  • A.P /
  • 12 March 2023 - 10:45
Pse Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhje?

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – dhe zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale – Zveçan dhe Leposaviq. Këto zgjedhje, fillimisht u caktuan për 18 dhjetor, mirëpo u shtynë si pasojë e tensioneve në Veri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Njëjtë si në dhjetor, edhe kësaj here, Lista Serbe të enjten tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

“Kjo e bën më se të qartë se Kosova dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb, kundër vullnetit të qytetarëve”, thuhet në deklaratën e së enjtes.

Mirëpo një njoftim zyrtar për mospjesëmarrje Lista Serbe nuk e ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e afati për këtë procedurë mbaron nesër.

Këtë për Express e konfirmoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tha se ky institucion ka pranuar deklarime për mospjesëmarrje nga 8 parti politike.

“Duke filluar nga data 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zbatimin e planit operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe zgjedhjeve të parakohshme për kuvendet komunale të dy komunave: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023. Mund t’ua konfirmoj se deri më tani (10 mars 2023, 15:00) kemi pranuar deklarimet për mospjesëmarrje në zgjedhje nga 8 parti politike: Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit”, ka thënë Elezi.

Për këtë çështje, Eugen Cakolli nga KDI, ka thënë se Lista Serbe duhet që ta dërgojë në KQZ njoftimin zyrtar për mospjesëmarrje, në mënyrë që të “prodhohen efektet juridike”. Mirëpo, Cakolli thotë se nëse Lista Serbe e dërgon njoftimin, kjo nuk ua pamundëson kandidatëve të saj të kandidojnë si subjekte të reja apo kandidatë të pavarur.

“Legjislacioni parasheh mundësinë e deklarimit për mospjesëmarrje në zgjedhje, por konform procedurave. Pra, përtej deklarimeve publike, Lista Serbe duhet që njoftimin për mospjesëmarrje t’a dorëzojë pranë Zyrës në KQZ, në mënyrë që të prodhohen efekte juridike. Pas një njoftimi të tillë eventual, Lista Serbe nuk mund të aplikojë për certifikim në zgjedhje, por që kjo nuk do t’ua pamundësonte Listës Serbe dhe kandidatëve të saj që të kandidojnë si subjekte të reja, apo edhe si kandidatë të pavarur”, tha Cakolli.


(Kosova Sot Online)