EurActiv: Shqipëria përjetoi në 2022-shin rënien më të madhe të popullsisë që nga Lufta e Dytë Botërore

  • E.K /
  • 13 March 2023 - 11:46
EurActiv: Shqipëria përjetoi në 2022-shin rënien më të madhe të popullsisë që nga Lufta e Dytë Botërore

Agjencia e njohur e Brukselit, EurActiv shkruan sot se Shqipëria ka përjetuar në vitin 2022, rënien më të madhe të popullsisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Popullsia e Shqipërisë u ul me 1.3 përqind në vitin 2022 për shkak të emigrimit, pasi nga vendi u larguan të paktën 36 mijë persona (kryesisht të rinj), rënia më e madhe e popullsisë që prej Luftës së Dytë Botërore. 

Vendi po kalon një krizë demografike për shkak të plakjes së popullsisë, rënies së lindjeve dhe mijëra njerëzve që emigrojnë çdo vit.

Rreth 700 mijë persona janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit, duke e çuar totalin që nga fundi i komunizmit në vitin 1991 në rreth 1.4 milionë”.

Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia në Shqipëri në vitin 2022 zbriti në 2.79 milionë banorë, nga 2.83 milionë një vit më parë.

Kjo ishte rënia më e madhe, ndërkohë që panorama është akoma më shqetësuese kur sheh moshën e të larguarve, shkruan Euractiv. Rënia më e madhe, me 7.1 përqind, i përket moshës nga 20 deri në 24 vjeç.

Portali thekson se kryeministri Edi Rama është shprehur në një intervistë për EurActiv se nuk mund t’i thotë rinisë së vendit që të mos largohet.

EurActiv citon edhe kreun e opozitës, Sali Berisha, i cili tha për këtë agjenci se partia e tij po punon për të kthyer shqiptarët në vendlindje.

“Ne po përpiqemi që të zgjerojmë lidhjet tona jo vetëm me njerëz të mirëarsimuar në Shqipëri, por edhe me njerëz në Britani, Gjermani, SHBA dhe kudo tjetër. Ky është një potencial i madh,” tha ai.

(Kosova Sot Online)