Abdixhiku takim me Hovenierin, zbulohet arsyeja

  • A.P /
  • 14 March 2023 - 17:54
Abdixhiku takim me Hovenierin, zbulohet arsyeja

LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim karshi propozimit evropian, të cilin ndërkombëtarët i kërkojnë ta përkrah, ka theksuar kryetari i LDK Lumir Abdixhiku, gjatë takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Abdixhiku thotë se LDK-ja qëndron prapa asaj se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pra edhe ajo e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen. Por, LDK-ja thotë se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë e përqëndruar në njohjen e ndërsjellë. Asnjë marrëveshje tjetër, sipas Abdixhikut, nuk garanton normalizim të raporteve me Serbinë.

Tutje, thotë se me ambsadorin amerikan ka biseduar për dy nenet e propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, të cilin e ka pranuar Kryeministri Albin Kurti.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Kënaqësi e veçantë që me bashkëpunëtorët e mi, të pres në zyrat e LDK-së ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.

Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.

LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes.


(Kosova Sot Online)