Kryerja e shërbimit të mbeturinave do të vazhdojë sipas planit

  • A.P /
  • 14 March 2023 - 22:43
Kryerja e shërbimit të mbeturinave do të vazhdojë sipas planit

Saga e mosmarrëveshjes dhe greva e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”,  ka përfunduar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kompania në fjalë njoftoi se ekipet kanë dalë në terren për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave, por pa treguar se a është arritur ndonjë marrëveshje.

“Po ashtu njoftojmë që kryerja e shërbimit të mbeturinave do të vazhdojë sipas planit dhe orarit të rregullt operativ”, tha kjo kompani

“Pastrimi” falënderoi qytetarët për, siç tha, “mirëkuptimin që kanë treguar ndaj punëtorëve te kompanisë sonë”.

Prej dje, punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, kanë hyrë në grevë. Kjo ka bërë që Prishtina dhe qytetet tjera të “mbyten” në mbeturina. Kërkesa e punëtorëve është rritja e pagave. Për çështjen e mbeturinave, sot, i pari i Prishtinës, tha se vendimi i punëtorëve të “Pastrimit” ka pasur ndikim të rëndë në pastërtinë e komunës. 

(Kosova Sot Online)