Berisha: Rama ushtroi kontrolle joligjore

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 14:20
Berisha: Rama ushtroi kontrolle joligjore

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi sot se drejtësia në vend vepron me urdhrat e Edi Ramës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se kryebashkiaku i Bulqizës u arrestua vetëm pse tha se do rikandidonte.

“Fushata po ecën me një ritëm dhe entuziazëm të veçantë. Kandidatët e shpellës apo dajakut, janë sot kandidatët më të përçmuar në 32 vite.

Siç e shihni, nuk dalin dot me qytetarët, siç e shihni, janë të pranishëm vetëm në montime dhe manipulime të turpshme televizive. Ndiqeni fushatën e Veliajt, vetëm figurantë dhe truke televizive. Të tjerë nuk duken fare. Ata që kundërshtojnë, arrestohen brenda orëve.

Narko-trafikanti i Bulqizës kishte dosjet palë-palë prej vitesh. Por nuk i futej gjë në këmbë, madje drejtësia e Edi Ramës e ekzonoronte edhe kur thithte kokainë, Në momentin që deklaroi se do rikandidonte dhe nuk e pyeste partinë, pas pesë orësh iu vunë prangat. U servir kjo si një akt i drejtësisë së pavarur, në fakt ishte një akt i drejtësisë politike,” tha Berisha.

Kreu demokrat tha se Rama ushtroi kontrolle joligjore ndaj Arben Ahmetajt pasi ky i fundit e kërcënoi publikisht.

“Ka një analogji me kontrollin që u bë te partnerja dhe ish-bashkëshortja e Ahmetajt. Organet ligjzbatuese kanë të drejtë të kontrollojnë në çdo rast, por kurrë në kundërshtim me procedurën ligjore.

E kam denoncuar me qindra herë Ahmetajn, por ndaj atij dhe askujt tjetër, procedura joligjore nuk mund të përdoret, vetëm e vetëm pse kërcënoi Edi Ramën. E kërcënoi Ramën, i tha se ti je ai që ka mbledhur 17 firma për 24 orë, se unë si ministër nuk e bëja kurrë. Kërcënoi Don Agaçion, kërcënoi Erion Veliajn dhe tani nuk merret me thelbin, por bëjnë kontrolle pa autorizime. Të turpshme, kontrolle policeske të dënueshme.

Rama mendoi se me këtë lajm do mund të eklipsonte lajmin për Olsi Ramën dhe Amant Josifin, mendoi se do eklipsonte shkrimet e tjera dhe tha se fajin e ka vibratori. Ky njeri nuk ngurron të përdorë çdo lloj mjeti në propagandën e tij vulgare për të mbrojtur veten e tij.

Ndaj duke dënuar qëndrimet prej gangsterëve për kontrollet pa autorizim, dënoj edhe qëndrimin që nuk guxojnë të prekin Arben Ahmetaj, se përfundojnë më keq se ai,” tha Berisha.


(Kosova Sot Online)