Theri dy herë me thikë xhaxhain, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit

  • A.P /
  • 17 March 2023 - 16:05
Theri dy herë me thikë xhaxhain, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit

Seanca e paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Denis Mjekiqi, avokatit Florent Latifaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në këto rrethana seanca u shty, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 19 maj të këtij viti.

Ndryshe, për të akuzuarin Denis Mjekiqi ishte veçuar procedura, kurse ndaj të akuzuarve Xhavit dhe Drilon Mjekiqi është shpallur aktgjykimi pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorinë.

Xhavit dhe Drilon Mjekiqi me 24 maj 2021, janë shpallur fajtorë për veprën penale të sulmit ndaj Afrim Mjekiqit, dhe të njëjtit janë dënuar me burgim prej gjashtë muajsh, secili veç e veç.

Por, ky dënim me pëlqimin e tyre ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në lartësi prej 3,500 euro gjobë për secilin nga ta.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 5 maj 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Denis Mjekiqi po akuzohet se derisa ishte duke u zhvilluar sulmi nga dy të akuzuarit tjerë Xhavit dhe Drilon Mjekiqi, me dashje që ta privojë nga jeta xhaxhain e tij e ka sulmuar Afrim Mjekiqin nga mbrapa me thikë, me të cilën dy herë e kishte goditur në pjesën e barkut dhe gjoksit.

(Kosova Sot Online)